Njohësit e zhvillimeve Prishtinë-Beograd presin “shumë pak” nga takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

Njohës të politikave dhe procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë nuk presin ndonjë rezultat konkret nga takimi i kësaj jave më 18 gusht në Bruksel midis kryeministrit kosovar dhe presidentit serb.

Njohës të politikave dhe procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë nuk presin ndonjë rezultat konkret nga takimi i kësaj jave më 18 gusht në Bruksel midis kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Një vjet nga takimi i fundit i nivelit të lartë politik Kurti-Vuçiq, palët pritet të diskutojnë për uljen e tensioneve të ngritura së fundmi midis dy vendeve. Takimi i fundit midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ndodhi në muajin korrik të vitit 2021. Gjatë vitit të kaluar, Kurti dhe Vuçiq u takuan dy herë, por asnjëri takim nuk kaloi me rezultate konkrete.

Më 31 korrik, pjesëtarë të komunitetit serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës me kamionë dhe makineri të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejtë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokada e tyre u vendos para fillimit të aplikimit të masave reciproke nga ana e Qeverisë së Kosovës me kërkesën për dokumente shtesë për të gjithë shtetasit serb në hyrje e daljet në Kosovë, si dhe legalizimin e të gjitha targave që ende nuk janë “RKS”.

Pas tensioneve për shkak të barrikadave dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës mori përsipër ta shtyjë zbatimin e këtyre dy masave pas 30 ditëve. Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), profesori universitar i shkencave politike, Dritero Arifi, shprehet i rezervuar se nga takimi i kësaj jave do të ketë ndonjë rezultat të madh për faktin se, siç thotë ai, “Bashkimi Evropian (BE) nuk është përgatitur për një takim kaq serioz, pra vetëm e ka ftuar takimin që në njëfarë mënyre ta krijojë një fotografi se paqja dhe negociatat po vazhdojnë dhe se dy shtetet e kanë një raport të mirë”.

“Në fakt, raporti i dy shteteve nuk është i mirë. Serbia është destabilizuese në gjithë rajonin, sidomos në veri të Kosovës, ku në njëfarë mënyrë i ka instrumentalizuar serbët e veriut që të propagandojë politikat e veta destruktive karshi Kosovës. Andaj, nuk pres nga ky takim asgjë. Nëse do të ketë diçka pozitive mund të jetë pranimi në parim i marrëveshjes për të pagjeturit, nëse kjo arrihet do të ishte një fitore e madhe për Kosovën, nëse jo, do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm me nga një apo dy takime në vit pa arritur asgjë pikërisht, sepse BE-ja apo lehtësuesi i këtij dialogu nuk është treguar shumë serioz”, thotë Arifi.

Arifi thotë se edhe pas këtij takimi midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë politika e njëjtë, ajo e nisur me reciprocitetin e Qeverisë së Kosovës. Kjo sepse, sipas tij, po vërehet se politika e reciprocitetit në targa, dokumente e kështu me radhë e ka zgjuar botën perëndimore, sidomos BE-në që ta kuptojnë që problemi Kosovë-Serbi duhet të zgjidhet sa më shpejtë dhe jo të harrohet me vite të tëra.

Ai thotë se masat të cilat qeveria synoi t’i zbatojë më 1 gusht, “duhet t’i bëjë ato më 1 shtator për të treguar seriozitetin e shtetit ligjor”.

“Mendoj se duhet të jemi më shumë në dialog me komunitetin serb në Kosovë që të tregojmë se qëllimi është implementimi i ligjit dhe jo politikë tjetër. Pra, të jemi sa më paqësor me komunitetin serb atje ose të mundohemi, sepse e dimë që problemi është instrumentalizimi i atyre banorëve atje që ka krijuar një hendek midis komunitetit dhe qeverisë qendrore”, thekson Arifi, duke shtuar se koordinimi me SHBA-në për zgjidhjen finale të dialogut është zgjidhja e vetme afatgjate për një paqe të qëndrueshme.

“Asnjëra palë nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar qëndrimet e saj”

Politologu serb Ognjen Gogiq, nga ana e tij, duke folur për AA tha se pret që amerikanët do të bëjnë presion si ndaj Beogradit ashtu edhe Prishtinës për të arritur një lloj marrëveshjeje në takimin e ardhshëm në Bruksel në nivelin më të lartë, ashtu siç bënë presion në fund të muajit korrik të këtij viti, gjë që ndaloi përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës.

Gogiq beson se amerikanëve nuk u pëlqen destabilizimi i situatës në Ballkan dhe nuk u përshtatet një kaos në veri të Kosovës, sepse kjo, sipas tij, do t’u hapte “derën” rusëve që të ndërhyjnë në këtë pjesë.

“Situata është shumë e tensionuar sepse pala prishtinase është pajtuar që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për një muaj, por, asnjëra palë nuk ka treguar gatishmëri për të ndryshuar qëndrimet e saj. Të dyja palët janë ende shumë radikale, sidomos në deklaratat që bëjnë dhe është një përshkallëzimin verbal që po ndodh. Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq madje mundohen ta kalojnë njëri-tjetrin në skajshmërinë e deklaratave të tyre”, thotë Gogiq.

Politologu Gogiq sheh hapësirë ​​për kompromis bazuar në deklaratën e fundit të presidentit serb, i cili bëri dallimin mes letërnjoftimeve serbe të qytetarëve të Serbisë dhe letërnjoftimeve serbe të qytetarëve të Kosovës. Presidenti serb, shton Gogiq, ka thënë përafërsisht se do të ishte e pranueshme nëse dokumenti i deklaratës hyrëse e dalëse, të cilin Qeveria e Kosovës po e prezanton si reciprocitet ndaj Serbisë, të zbatohet vetëm për qytetarët e Serbisë, e jo edhe për qytetarët e Kosovës, që ende e nuk kanë dokumente të Kosovës.

“Në veri të Kosovës ka një numër njerëzish që nuk kanë letërnjoftime të Kosovës, por kanë letërnjoftime serbe dhe ka një numër personash nga Serbia që jetojnë në Kosovë sepse janë të martuar me dikë nga Kosova dhe e kanë shumë të vështirë marrjen e dokumenteve të Kosovës për shkak të mosnjohjes reciproke të certifikatave të martesës”, shpjegon Gogiq.

Kur bëhet fjalë për masën e riregjistrimit të automjeteve të cilat në disa komuna veriore janë ende me targa ilegale me shkurtesa të qyteteve që lëshoheshin dikur nga Serbia, Gogiq rikujton se një gjë e tillë është obligim që pala serbe e ka marrë disa herë në Bruksel. Ai shton se serbët në jug të lumit Ibër i kanë ndërruar targat para 11 vitesh, por një gjë të tillë nuk e kanë bërë ata që jetojnë në veri.

Gogiq beson se i vetmi kompromis mund të jetë vonimi i vendimit për riregjistrim të automjeteve, derisa sa të zbuten tensionet, por thekson se në përgjithësi nuk pret që së shpejti të arrihet marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pikërisht për uljen e tensioneve midis të dyja vendeve, një ditë para takimit Kurti-Vuçiq, më 17 gusht, me takime të ndara do t’i takojë dy liderët ballkanas edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Janjiq pret “shumë pak” nga takimi midis liderëve

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Serbi, Dushan Janjiq, tha se takimi mes presidentit serb dhe zyrtarëve të NATO-s është i rëndësishëm, pasi ai mund të përcaktojë rrjedhën e takimit me kryeministrin kosovar më 18 gusht në Bruksel.

I pyetur se çfarë pret nga takimi mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel më 18 gusht, Janjiq tha për AA se duke gjykuar nga atmosfera rreth këtij takimi ai pret “shumë pak” dhe se sipas deklaratave nga Brukseli është e qartë se ka shumë tema, se nuk është e qartë se cila është tema kryesore dhe se gjithçka po rrotullohet në rreth.

Ai komentoi edhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili ka shpresuar se takimi duhet të sjellë diçka të re, duke theksuar se edhe ai vetë shpreh dëshirë që të jetë optimist, por që kjo gjë nuk është e lehtë.

Ai theksoi se Vuçiq do të takohet me zyrtarë të NATO-s para takimit me Kurtin dhe se kjo ka ndodhur një herë gjatë kohës kur Boris Tadiq ishte president i Serbisë dhe para nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, duke shtuar se ky takim mund të ndikojnë në rrjedhën e takimit të 18 gushtit.

“Tema e sigurisë ka ardhur në rend dite. Është një mundësi për Beogradin dhe Prishtinën. Është një mundësi për Beogradin që të ngrejë çështjen e një pakete të sigurisë që aktualisht nuk ekziston”, tha Janjiq, duke shtuar duhet ofruar bashkëpunim të institucioneve të Kosovës, Serbisë dhe NATO-s në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe sigurisë së përgjithshme të njerëzve.

Siç tha ai, Brukseli e ka shmangur vënien e kësaj teme në rend dite dhe nëse humbet mundësia aktuale që Beogradi ta vendosë këtë temë, sipas mendimit të Janjiqit, mund të pritet temë tjetër tensionesh edhe pas 18 gushtit.

“Kjo është një mundësi që Beogradi të thotë qartë se po shkon drejt mundësive të duhura në bashkëpunim me NATO-n, se këtë gjë nuk është duke e bërë vetëm Prishtina”, tha Janjiq dhe shtoi se ky është një shans që Beogradi të dalë nga konteksti i politikës pro-ruse.

Ai theksoi se çështjen e pakos së sigurisë nuk do ta ngrejë Brukseli apo Kurti, por Vuçiq duhet ta bëjë këtë dhe se Komisioni Evropian duhet të bindet se kjo është e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Duke folur për ndodhitë (situatën) në Kosovë, të cilën e ka vizituar së fundmi, Janjiq tha se serbët e Kosovës nuk do ta ndjekin politikën e Vuçiqit nëse kjo do të çojë në përshkallëzim të mëtejmë dhe se Lista Serbe ka humbur reputacionin e saj.

Janjiq gjithashtu tha se në mesin e shqiptarëve, qartë është definuar qëndrimi kundër luftës dhe të gjithë janë të gatshëm të shkurtojnë kohëzgjatjen e qeverisë Kurti, për t’u siguruar që nuk do të ketë luftë.

Siç vlerësoi ai, pa negociata për pakon e sigurisë do të luhen sërish lojëra politike, kështu që më 1 shtator (deri kur të shtyhen masat e Prishtinës për targat) mund të pritet një dramë e re dhe më pas të priten ngjarje si barrikada, dhe pastaj edhe zgjedhje, nëse jo edhe përshkallëzim më i madh.

Ai gjithashtu vlerësoi se aktori i tretë që është i interesuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Kosovë është Rusia dhe se nuk do të ishte e çuditshme të kishte një partner në Perëndim, pasi “një luftë e vogël në Ballkan” do të shmangte vëmendjen nga papërgjegjësia e BE-së ndaj Ukrainës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi