Norvegjia anuloi lejen për djegien e Kuranit pas paralajmërimit të Turqisë

Më herët, Türkiye thirri ambasadorin norvegjez në Ankara, Erling Skjonsberg, për shkak të planeve për të përçmuar Kuranin e Shenjtë në vendin skandinav të premten

Norvegjia anuloi lejen e saj për djegien e Kuranit pas paralajmërimit të Ankarasë, tha ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu.

Duke folur në një ngjarje në kryeqytetin turk Ankara, Çavuşoğlu tha se përshpejtimi i globalizimit dhe ndryshimit kanë çuar në disa rezultate te njerëzimi, si erozioni i identiteteve kombëtare dhe humbja e vetëdijes gjuhësore.

Kjo gjithashtu ka çuar në krime të urrejtjes, islamofobi, racizëm, ksenofobi, intolerancë dhe diskriminim, shtoi ai.

“Ju e patë se çfarë ndodhi në Suedi, Holandë dhe Danimarkë. E njëjta gjë do të ndodhte në Norvegji. Sot ne thirrëm ambasadorin norvegjez. Dhe ata tërhoqën lejen që e dhanë”, tha Çavuşoğlu.

“Krimi kundër njerëzimit nuk është liri e shprehjes. Ky është krim urrejtjeje. Urrejtja nuk është liri e shprehjes”, theksoi kryediplomati turk.

Më herët gjatë ditës, Türkiye thirri ambasadorin norvegjez në Ankara, Erling Skjonsberg, për shkak të planeve për të përçmuar Kuranin e Shenjtë në vendin skandinav të premten.

Sipas burimeve diplomatike turke, ambasadorit Skjonsberg iu tha se Ankaraja “dënon fuqishëm qasjen e Norvegjisë për të mos parandaluar aktin e planifikuar provokues, i cili është qartësisht një krim urrejtjeje, ky qëndrim është i papranueshëm dhe ne presim që ky akt të mos lejohet”.

Javën e kaluar, Türkiye thirri ambasadorët e Suedisë, Holandës dhe Danimarkës në Ankara pas incidenteve lidhur me djegien e Kuranit.

Kategoritë
BotaLajme