“Jam e tronditur që një automjet i OKB-së me shenjë të qartë u godit drejtpërdrejt nga armë zjarri ndërsa po i afrohej një postblloku izraelit”, tha ministrja Anne Tvinnereim
Norvegjia ka dënuar ashpër sulmin e fundit ndaj punonjësve humanitarë në Gaza, duke shprehur shqetësim të thellë për rreziqet në rritje me të cilat përballet personeli i ndihmës në rajonin e goditur nga konflikti, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministrja norvegjeze për Zhvillimin Ndërkombëtar, Anne Beathe Tvinnereim, e përshkroi incidentin, ku një automjet i OKB-së me shënim të qartë u godit drejtpërdrejt me armë zjarri ndërsa po i afrohej një postblloku izraelit, si “krejtësisht të papranueshëm”.
Automjeti, i cili mbante staf nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), thuhet se kishte marrë leje të shumta nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) përpara se të vihej në shënjestër.
“Jam e tronditur që një automjet i OKB-së me shenjë të qartë u godit drejtpërdrejt nga armë zjarri ndërsa po i afrohej një postblloku izraelit”, tha Tvinnereim.
“Gaza është vendi më i rrezikshëm në botë për punëtorët humanitarë. Është krejtësisht e papranueshme që humanitarët, përsëri, të jenë në shënjestër ndërsa ofrojnë ndihmë shpëtimtare për civilët. Ligji ndërkombëtar humanitar duhet të respektohet, gjithmonë dhe kudo. Ky incident duhet të hetohet menjëherë”, shtoi ajo.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Sulmi ka rezultuar në mbi 40.600 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 93.800 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore. Bllokada e vazhdueshme e Rripit të Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve ndërsa sulmet izraelite kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.