Norvegjia do të vendosë një kufi minimal të moshës prej 15 vjetësh për përdorimin e rrjeteve sociale.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre deklaroi se kjo do të jetë një betejë e vështirë dhe shtoi se politikanët duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur fëmijët nga “fuqia e algoritmeve”, raportoi Guardian.
Megjithëse tha se e kupton që rrjetet sociale mund t’u ofrojnë një komunitet fëmijëve të vetmuar, Støre theksoi se shprehja e vetes nuk duhet të jetë në duart e algoritmeve.
“Përkundrazi, kjo mund të çojë në një mënyrë të menduari të njëanshme dhe të kontrolluar, sepse gjithçka ndodh aq shpejt në këtë ekran”, shtoi ai.
Qeveria është zotuar të vendosë më shumë masa mbrojtëse për të parandaluar që fëmijët të anashkalojnë kufizimet e moshës, duke përfshirë ndryshime në Ligjin për të Dhënat Personale, kështu që përdoruesit e rrjeteve sociale duhet të jenë 15 vjeç për të dhënë pëlqimin e tyre që platforma të përpunojë të dhënat e tyre personale dhe të zhvillohet një sistem verifikimi të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale.
Norvegjia tashmë ka një kufi minimal të moshës prej 13 vjetësh, por, pavarësisht kësaj, më shumë se gjysma e fëmijëve nëntëvjeçarë, 58 për qind e fëmijëve dhjetëvjeçarë dhe 72 për qind e fëmijëve njëmbëdhjetëvjeçarë janë në rrjetet sociale, sipas rezultateve të një studimi të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Mediave të Norvegjisë.