“Nuk ka ideologji që justifikon raketat”, Pele për Putin: Ndalojë luftën në Ukrainë

Legjenda Pele ka shkruar një letër të hapur në prag të ndeshjes së Ukrainës kundër Skocisë. Braziliani kërkon nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që të ndalojë luftën në Ukrainë, pasi sjell veç ankth dhe dhimbje.

“Vladimir Putin. Sot Ukraina përpiqet të harrojë, të paktën për 90 minuta, tragjedinë që ende e ka përfshirë vendin e tyre. Të konkurrosh për një vend në Kupën e Botës është tashmë një detyrë e vështirë, pothuajse e pamundur me kaq shumë jetë në rrezik.

Dua ta shfrytëzoj ndeshjen e sotme si një mundësi për të bërë një kërkesë, ndaloni pushtimin. Nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këtë dhunë të vazhdueshme. Ky konflikt është i lig, i pajustifikueshëm dhe nuk sjell asgjë tjetër veç dhimbje, frikë, terror dhe ankth.

Nuk ka pse të zgjasë më gjatë. Kur u takuam në të kaluarën dhe shkëmbenim buzëqeshje të shoqëruar me një shtrëngim duarsh të gjatë, nuk e mendoja kurrë se një ditë do të ishim aq të ndarë sa jemi tani. Luftërat ekzistojnë vetëm për kombe të ndara dhe nuk ka asnjë ideologji që justifikon raketat me predha që varrosin ëndrrat e fëmijëve, shkatërrojnë familjet dhe vrasin të pafajshmit.

Kam jetuar tetë dekada, në të cilat kam parë luftëra dhe kam parë e dëgjuar gjuhën e urrejtjes, duke promovuar mizori në emër të sigurisë së kombit të tyre nga udhëheqës pa kurriz. Ne duhet ta ndalojmë këtë dhe të evoluojmë.

Shumë kohë më parë i kam premtuar vetes se gjithmonë do ta ngre zërin për paqe. Fuqia për të ndaluar këtë konflikt është në duart tuaja. Të njëjtat që kam takuar në Moskë, në takimin tonë të fundit në 2017”.

Kategoritë
BotaLajme