OBSH: 459 të vdekur, 4.072 të plagosur në konfliktin në Sudan

– OBSH ka verifikuar 14 sulme ndaj sektorit të shëndetësisë që nga fillimi i përleshjeve në Sudan, me tetë të vdekur dhe dy të plagosur

GJENEVË (AA) – Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Sudan, Nima Saeed Abid, tha se të paktën 459 njerëz kanë vdekur dhe 4.072 të tjerë janë plagosur për shkak të konfliktit të armatosur disajavor në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, raporton Anadolu.

Duke folur përmes video-lidhjes në një konferencë për media të OKB-së, Abid tha se megjithatë, shifrat mund të jenë “shumë të nënvlerësuara”.

Lidhur me sulmet në sektorin e shëndetësisë, Abid tha se OBSH ka verifikuar 14 sulme që nga fillimi i përleshjeve, me tetë të vdekur dhe dy të plagosur. Dëme kanë pësuar edhe spitalet.

“Sulmet ndaj stafit shëndetësor janë të dënueshme dhe duhet të ndalen”, tha ai.

I pyetur nga Anadolu në lidhje me përpjekjet për evakuim, Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, tha: “Ata që janë zhvendosur nga Khartoum dhe tani ndodhen në Port Sudan, tani po shikojmë se si t’i zhvendosim më tej”.

Laerke tha se në evakuimin e organizuar të hënën nga OKB-së në Port Sudan morën pjesë 700 persona, duke përfshirë OKB-në, OJQ-të ndërkombëtare dhe stafin e ambasadës, duke shtuar se mbeten të përkushtuar për të vazhduar me përpjekjet e këtilla.

Më 15 prill, luftimet shpërthyen midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë në Khartoum dhe rrethinat e tij.

Një mosmarrëveshje kishte paraqitur muajt e fundit midis ushtrisë dhe paraushtarakëve mbi reformën e sigurisë ushtarake. Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në negociatat e palëve ndërkombëtare dhe rajonale për një tranzicion në sundimin civil dhe demokratik në Sudan.

Kategoritë
BotaLajme