Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi të premten të dhëna të reja mbi mungesën alarmante të ndërgjegjësimit në Evropë lidhur me lidhjen midis konsumit të alkoolit dhe kancerit. Organizata bëri thirrje për paralajmërime të qarta dhe të dukshme, të ngjashme me ato në produktet e duhanit, në rajonin që ka normën më të lartë të konsumit të alkoolit në botë.
OBSH ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se alkooli shkakton kancer, duke mbështetur etiketimin e qartë të produkteve, por kurrë më parë nuk ka bërë thirrje kaq të drejtpërdrejta për rregullore të reja.
Kreu i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së kërkoi gjithashtu këtë vit që paralajmërimet për rreziqet e kancerit të shtohen në etiketat e pijeve alkoolike.
Sipas zyrës evropiane të OBSH-së, alkooli është shkaktar i 800.000 vdekjeve në Evropë çdo vit, por vetëm një pjesë e vogël e popullsisë është e vetëdijshme për rreziqet.
Një studim i organizatës tregoi se:
- Vetëm 15% e të anketuarve e dinin që alkooli mund të shkaktojë kancer të gjirit
- 39% ishin të vetëdijshëm për lidhjen mes alkoolit dhe kancerit të zorrës së trashë.
Udhëzime të reja: Nuk ka një sasi të sigurt të konsumit të alkoolit!
“Pavarësisht se kanceri është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin në Bashkimin Evropian (BE), ndërgjegjësimi publik mbi këtë lidhje mbetet në nivele alarmuese të ulëta,” tha OBSH.
Organizata paralajmëroi gjithashtu se vetërregullimi i industrisë përbën një rrezik, pasi prodhuesit e pijeve alkoolike mund të përdorin etiketa me mesazhe të paqarta dhe të vendosura në vende të padukshme, ose të përdorin QR-kodet të cilat konsumatorët shpesh i injorojnë.
Në vend të kësaj, OBSH kërkon që pijet alkoolike të kenë paralajmërime të qarta dhe të dukshme për shëndetin, të shkruara dhe të kombinuara me imazhe, për të maksimizuar ndikimin dhe për të informuar konsumatorët në mënyrë të saktë, në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara për shëndetin e tyre.
Sipas një zëdhënësi të OBSH-së, simbolet ose mesazhet e thjeshta tekstuale mund të jenë po aq efektive sa fotografitë eksplicite.
Aktualisht, vetëm 3 nga 27 vendet anëtare të BE-së – Franca, Lituania dhe Gjermania – kanë ndonjë formë etiketimi me paralajmërime për rreziqet e alkoolit, tha OBSH.
Irlanda planifikon të prezantojë paralajmërime të zgjeruara për kancerin në pijet alkoolike duke filluar nga maj 2026, sipas të dhënave të OBSH-së.