OBSH: Më shumë se gjysma e Evropës do të infektohet me Omicron në 6-8 javët e ardhshme

Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se më shumë se 1 për qind e popullsisë së tyre infektohet me COVID-19 çdo javë dhe kjo mund të ushtrojë një presion të madh mbi sistemet shëndetësore të vendeve evropiane, tha Hans Kluge.

Më shumë se 7 milionë raste të llojit të ri COVID-19 Omicron janë raportuar në Evropë në javën e parë të 2022, tha në një konferencë të martën Drejtori i Zyrës Rajonale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge.

Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se më shumë se 1 për qind e popullsisë së tyre infektohet me COVID-19 çdo javë dhe kjo mund të ushtrojë një presion të madh mbi sistemet shëndetësore të vendeve evropiane, tha ai.

Kluge theksoi se 50 nga 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë raportuar raste infektimi me Omicron. Ky variant po bëhet me shpejtësi virusi dominues në Evropën Perëndimore dhe tani po përhapet në Ballkan, shtoi ai.

Kluge u kërkoi vendeve që t’u japin përparësi vaksinimeve përforcuese për grupet e riskuara të shoqërisë duke përfshirë punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit.

Instituti i Matjeve dhe Vlerësimit Shëndetësor (IHME) parashikon se mbi 50 për qind e popullsisë së rajonit do të infektohet me Omicron në 6-8 javët e ardhshme.

Kluge është thellësisht i shqetësuar se ndërsa ky variant i koronavirusit po lëviz drejt lindjes, ndikimi i tij mbetet për t’u parë në vendet ku nivelet e mbulimit të vaksinimit janë më të ulëta dhe ku pasojat e infeksionit midis të pavaksinuarve mund të jenë më të rënda.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi