OBSH: Mungesa e punonjësve të shëndetësisë është problem global

“Mungesa e punonjësve shëndetësorë ishte arsyeja më e madhe në mangësitë e shërbimeve shëndetësore gjatë pandemisë”, tha kreu i OBSH-së, Ghebreyesus

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se mungesa e punonjësve të shëndetësisë është problem global, transmeton Anadolu.

Në Forumin e 5-të Global për Burimet Njerëzore për Shëndetin në Gjenevë, Ghebreyesus tha se në forum morën pjesë mbi 3 mijë delegatë nga më shumë se 140 vende dhe se për herë të parë është shënuar një pjesëmarrje kaq e lartë.

“Forumi ka përkuar me javën ku do të festohet Java Botërore e Punonjësve të Shëndetësisë dhe 75 vjetori i OBSH-së”, tha Ghebreyesus i cili shtoi se Kushtetuta e OBSH-së që ka hyrë në fuqi më 7 prill 1948 miratoi shëndetit si një e drejtë themelore e njeriut për të gjithë njerëzit.

Ghebreyesus vuri në dukje se procesi i COVID-19 paraqiti edhe një herë në kuptimin global rëndësinë e punonjësve të shëndetësisë.

Ai tha se gjatë këtij procesi ka pasur ngarkesë ekstreme mbi punonjësit dhe sistemet shëndetësore. “Në procesin e COVID-19 u infektuan miliona punonjës shëndetësorë dhe të kujdesit, mijëra humbën jetën dhe shumë prej tyre ranë të lodhur nga puna e mbingarkuar”, shtoi Ghebreyesus.

Kreu i OBSH-së nënvizoi se mungesat në sistemet shëndetësore shkaktuan shumë vdekje në shumë vende. “Mungesa e punonjësve shëndetësorë ishte arsyeja më e madhe në mangësitë e shërbimeve shëndetësore gjatë pandemisë”, tha ai.

– “Në më shumë se 160 vende, pakënaqësi nga kushtet e punës”

Krahas vendeve të varfra edhe vendet e pasura luftuan me mungesën në numrin e punonjësve shëndetësorë, nënvizoi Ghebreyesus i cili tërhoqi vëmendjen se parashikohet që deri në vitin 2030 të arrijë në 10 milionë persona në nivel global mungesa e personelit në sektorin shëndetësor.

Kreu i OBSH-së tërhoqi vëmendjen se që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, një në çdo tre punonjës shëndetësor ka përjetuar probleme shëndetësore si ankthi dhe depresioni dhe se gjysma e punonjësve shëndetësorë janë lodhur në aspektn psikologjik.

Duke bërë të ditur se vazhdon lufta e punonjësve shëndetësorë, Ghebreyesus tha: “Grevat dhe veprimet industriale janë në nivel rekord. Në më shumë se 160 vende njoftohen pakënaqësi nga kushtet e punës. Ndodhemi përballë me vështirësi që presin përgjigje të madhe”.

Ai informoi se këtë javë do të përqendrohen në mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e kushteve të punës të punonjësve shëndetësor, rritjen e investimeve të vendeve në fushën e shëndetësisë dhe veprimin së bashku në këto çështje.

“Mbrojtja e punonjësve shëndetësorë dhe të kujdesit dhe investimi ndaj tyre nuk është vetëm puna e ministrive të shëndetësisë. Kjo është një punë e cila kërkon udhëheqje politike, koordinim në sektorët e arsimit, punësimit, gjinisë dhe financave si dhe bashkëpunim me dhomat e profesioneve, sindikatat e punëtorëve, shoqërinë civile dhe me sektorin privat të qeverive”, tha Ghebreyesus.

Forumi i 5-të Global për Burimet Njerëzore për Shëndetin, ku ekspertë të fushës do të diskutojnë për problemet dhe hapat që duhen ndërmarrë lidhur me sistemet shëndetësore dhe punonjësit e tyre, do të përfundojë më 5 prill.

Kategoritë
BotaLajme