Oda Amerikane në Kosovë: Të hiqen urgjentisht masat që kufizojnë importet nga Serbia

Oda Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës urgjentisht rishqyrtimin e masave që kufizojnë importet nga Serbia.

Sipas një deklarate për media të martën, OAK vlerëson se me këtë vendim po pengohen “interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore”.

Oda Amerikane ka thënë se ndikimi i këtij vendimi po prek në masë të madhe kompanitë ndërkombëtare, përfshirë ato nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, “importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39% krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare”.

“Të dhënat zbulojnë një realitet të zymtë; importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen me një ritëm alarmues. Për më tepër, çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës. Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e malrrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Oda Amerikane ka thënë se normalizimi ekonomik Kosovë-Serbi “kapërcen interesat bilaterale”.

“Duke qenë vazhdimisht avokuese për politika të hapura dhe të balancuara tregtare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon veprime të shpejta dhe vendimtare që do të mbështesin rritjen ekonomike, prosperitetin dhe harmoninë rajonale”, thuhet në deklaratë.

Qeveria pati vendosur t’i ndalë importet nga Serbia si masë ekonomike pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit, nga forcat serbe para disa muajsh.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi