Ohër, mbahet programi përmbyllës i “Akademisë Ballkanike të Historisë dhe Kulturës”

Në Akademinë Ballkanike për Histori dhe Kulturë morën pjesë rreth 30 studentë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Greqia.

Në Ohër u mbajt programi përmbyllës i “Akademisë Ballkanike të Historisë dhe Kulturës”, organizuar në bashkëpunim me Presidencën Turke për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB) dhe Shoqatës “Köprü” (Ura) nga Shkupi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë program morën pjesë kryetari i YTB-së, Abdullah Eren dhe delegacioni i tij, si dhe përfaqësues të organizatave dhe shoqatave turke dhe vendore, si dhe studentë pjesëmarrës në këtë akademi.

Në një deklaratë për mediat, Eren theksoi se si institucion, organizojnë aktivitete të ndryshme në vendet e Ballkanit me qëllim që të kontribuojnë në edukimin e të rinjve.

Ai tha se ofrojnë mbështetje për studentët në fusha të ndryshme si ekonomia, politika, kultura, arti, historia, sipërmarrja dhe sporti dhe se në kuadër të programit të bursave studentore, çdo vit mbi 1.000 studentë nga vendet e Ballkanit fitojnë bursa studimi në Türkiye.

Sipas tij, në Akademinë Ballkanike për Histori dhe Kulturë morën pjesë rreth 30 studentë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bullgaria dhe Greqia.

Eren theksoi se në kuadër të akademisë është bërë prezantimi i trashëgimisë historike dhe kulturore që ka lënë Perandoria Osmane në Ballkan.

“Ne duhet të njihemi shumë më mirë mes vete. Le të njihemi më mirë për të forcuar lidhjet vëllazërore. Le të njihemi me problemet tona në mënyrë që të gjejmë zgjidhje së bashku. E për këtë, ne duhet të dimë të kaluarën. Për t’u përgatitur për të ardhmen, ne duhet të dimë të kaluarën”, tha Eren.

Kryetari i Lidhjes së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), Husrev Emin, i cili njëherësh është edhe kryetar i Shoqatës “Köprü”, tha se kjo akademi është një mundësi e mirë për bashkimin e studentëve që vijnë nga pjesë të ndryshme të Ballkani.

Emin theksoi se në kuadër të akademisë janë mbajtur ligjërata me tema të ndryshme që kanë të bëjnë me kulturën osmane.

“Ndoshta nuk mund të mësojmë shumë gjëra për tre ditë, por mendoj se kjo hap rrugën dhe jep orientim për të mësuar disa gjërave”, tha Emin, duke falënderuar Erenin dhe të tjerët që kontribuuan në organizim.

Në fund të programit u ndanë certifikata për studentët që morën pjesë në këtë akademi.

Ndryshe, akademia u zhvillua nga data 27 qershor deri më 1 korrik.

Kategoritë
LajmeRajoni