Në deklaratë thuhet se 628 palestinezë kanë vdekur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe izraelitëve që grabisin tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor për periudhën 7 tetor – 27 gusht
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dënoi sulmet në rritje të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke deklaruar se është shkelur ligji ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut bëri një deklaratë me shkrim lidhur me sulmet në rritje në Bregun Perëndimor nga ushtria izraelite dhe izraelitët që grabisin palestinezët. Në deklaratë thuhet se 628 palestinezë kanë vdekur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe izraelitëve që grabisin tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor për periudhën 7 tetor – 27 gusht.
Më tej vihet në dukje se në sulmet ajrore të kryera nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor kanë humbur jetën 159 persona, prej të cilëve 29 fëmijë dhe 3 gra. Po ashtu thuhet se dy fëmijë njëri 13-vjeç dhe tjetri 15-vjeç, humbën jetën në sulmin e kryer me mjet ajror pa pilot në mbrëmjen e 26 gushtit në kampin e refugjatëve Nur Shams në qytetin Tulkarm, që ndodhet në veri të Bregut Perëndimor.
Teksa thuhet se gjatë sulmit nuk ka pasur asnjë konflikt mes forcave izraelite dhe grupeve palestineze në rajon, bëhet e ditur se dy fëmijët e vdekur po kalonin në një rrugë pranë shtëpisë që u godit gjatë sulmeve ajrore.
Në deklaratën në të cilën tërhiqet vëmendja për sulmet në rritje në Bregun Perëndimor nga izraelitët që grabisin tokat e palestinezëve, rikujtohet se 37-vjeçari Halil Salim Halvi vdiq në bastisjen e kryer më 26 gusht në rajonin Wadi Rahhal të Betlehemit.
Ndërsa thuhet se Halvi është vrarë nga izraelitët apo ushtarë rezervë izraelitë që grabisin tokat palestineze, vihet në dukje se pavarësisht sulmit në të cilin u plagosën 3 palestinezë, forcat izraelite nuk ndaluan askënd.
Në deklaratën ku nënvizohet se izraelitët që grabisin tokat palestineze mbështeten nga disa politikanë të lartë izraelitë thuhet se “Vrasja e Halvit nuk është incident i izoluar, por rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar, e cila është shkelje e ligjit ndërkombëtar. Kjo përfshin bashkëfajësinë e forcave izraelite dhe klimën aktuale të mosndëshkimit”.
Situata në Bregun Perëndimor u përkeqësua me shpejtësi pas 7 tetorit dhe se ka shqetësim për këtë dhe më tej paralajmërohet se situata mund të përkeqësohet nëse vazhdohet të injorohen sulmet e forcave izraelite në rajon dhe dhuna e izraelitëve që grabisin tokat palestineze.
Deklarata dënon këto sulme, duke theksuar se sulmet në rritje të forcave izraelite në Bregun Perëndimor shkelin ligjin ndërkombëtar dhe mbartin rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës që ndodhet në “nivelin e shpërthimit” në rajon.