OKB emëron anëtarët e misionit për të hetuar akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut në Iran

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut emëroi anëtarët e Misionit Kërkimor, i cili u formua për të shqyrtuar pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut në Iran

Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut emëroi anëtarët e Misionit Kërkimor, i cili u formua për të shqyrtuar pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut në Iran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli thuhet se presidenti i Këshillit dhe ambasadori Federico Villegas, përfaqësuesi i përhershëm i Argjentinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, emëroi 3 avokatë të pavarur si anëtarë të Komitetit të Kërkimit.

Thuhet se pjesë e delegacionit do të jenë një nga avokatet e Gjykatës së Lartë të Bangladeshit, Sara Hussein, profesori i së drejtës islame në Universitetin Warwick, Shahin Serdar Ali me origjinë pakistaneze dhe avokatja argjentinase, drejtore e Qendrës për Drejtësi dhe të Drejtën Ndërkombëtare (CEJIL), Viviana Krsticevic.

Theksohet se raporti i parë i anëtarëve të delegacionit për situatën e të drejtave të njeriut në Iran do të publikohet në seancën e Këshillit në qershor 2023 ndërsa raporti i detajuar do të publikohet në seancën e marsit 2024.

Në seancën speciale të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të mbajtur më 24 nëntor, propozimi për të caktuar ekip kërkimor për hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Iran u miratua me shumicë votash.

Në seancë u diskutuan pretendimet për shkeljen e të drejtave në ndërhyrjen e forcave të sigurisë në protestat që po zhvillohen në Iran që nga 16 shtatori dhe iu dorëzua projekt-rezolutës për caktimin e një ekipi hulumtues për shqyrtimin e akuzave.

Kategoritë
BotaLajme