Rezoluta, e iniciuar nga Ukraina dhe vendet evropiane, mori 93 vota pro, 18 kundër dhe 65 abstenime.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një projektrezolutë që bën thirrje për paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, ndërkohë që Rusia dhe SHBA-ja votuan kundër, raporton Anadolu.
Rezoluta u miratua me 93 vota pro, 18 kundër dhe 65 abstenime.
Prezantuar nga Ukraina dhe disa vende evropiane, rezoluta theksoi pasojat globale të luftës, duke përfshirë ndikimin e saj në sigurinë ushqimore, energjinë, ekonominë, sigurinë bërthamore dhe mjedisin.
Ajo ngre gjithashtu shqetësime lidhur me raportet për luftimin e trupave të Koresë së Veriut përkrah forcave ruse, duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm.
Rezoluta bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive dhe një zgjidhje paqësore në përputhje me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare dhe kërkon intensifikimin e përpjekjeve diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Ajo riafirmon më tej rezolutat e mëparshme të OKB-së që kërkonin tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të Rusisë nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
Duke i përshkruar votat pro rezolutës si “vota pro paqes”, zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës Mariana Betsa tha para votimit se “ndërsa shënojmë tre vjet të këtij pushtimi shkatërrues të Rusisë kundër Ukrainës, ne u bëjmë thirrje të gjitha kombeve të qëndrojnë të palëkundur dhe të marrin anën e Kartës (OKB), anën e njerëzimit dhe anën e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.
Duke folur gjithashtu para votimit, e ngarkuara e përkohshme me punë e SHBA-së, Dorothy Shea, kujtoi se “rezoluta të shumta të Asamblesë së Përgjithshme kanë kërkuar që Rusia të tërheqë forcat e saj nga Ukraina”.
“Ato rezoluta kanë dështuar në ndalimin e luftës. Ajo tani është zvarritur për një kohë shumë të gjatë dhe me një kosto shumë të tmerrshme për njerëzit në Ukrainë, në Rusi dhe më gjerë”, tha ajo.
Duke pohuar se nevojitet një rezolutë “që shënon angazhimin nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së për t’i dhënë një fund të qëndrueshëm luftës”, Shea tha se një projektrezolutë nga SHBA-ja “kërkon një fund të shpejtë të konfliktit dhe bën thirrje më tej një paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë”.
“Ne nuk mund ta mbështesim rezolutën e Ukrainës dhe ne kërkojmë tërheqjen e saj në favor të një deklarate të fortë që na angazhon t’i japim fund luftës dhe të punojmë drejt një paqeje të qëndrueshme”, tha ajo.
Përpara votimit, Franca, së bashku me mbi 25 të dërguar të BE-së, paraqiti tri amendamente që synojnë të përforcojnë gjuhën e rezolutës, duke identifikuar në mënyrë eksplicite Rusinë si “agresore”.
Më pas Shea u përgjigj dhe tha: “Ne nuk mund t’i mbështesim ato. Këto ndryshime ndjekin një luftë fjalësh dhe jo një fund të luftës”.