OKB kundër Britanisë për dëbimin e azilkërkuesve

Kontradikta të shumta kanë përfshirë projektligjin e qeverisë britanike për emigracionin, që nuk pranon kërkesat për azil të emigrantëve që mbërrijnë me gomone në vendin e tyre.

Sekretarja për Punët e Brendshme, Suella Braverman garantoi të mërkurën se drafti nuk e shkel ligjin.

“Ne nuk po shkelim ligjin. Asnjë përfaqësues i qeverisë ka deklaruar se po e shkelim. Në fakt, ne e kemi bërë të qartë se besojmë se po veprojmë në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare. Ne duhet të marrim masa të dhimbshme por të nevojshme menjëherë, pasi ka njerëz që po vdesin në përpjekje për të arritur në Britani. Ata po shkelin ligjet tona dhe po abuzojnë nga mikpritja e qytetarëve britanikë”, tha Braverman.

Ndërkohë Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR, ka kritikuar ligjin britanik duke deklaruar se, në rast se miratohet do të çojë në ndalimin total të azilit dhe do të shkelë hapur Konventën për Refugjatët.

Legjislacioni, nëse miratohet, do të përbënte një ndalim azili, duke shuar të drejtën për të kërkuar mbrojtje refugjatësh në Mbretërinë e Bashkuar për ata që mbërrijnë në mënyrë të parregullt, pavarësisht se sa e vërtetë dhe bindëse mund të jetë kërkesa e tyre, dhe pa marrë parasysh rrethanat e tyre individuale”, thaUNHCR në një deklaratë.

“Projektligji do t’u mohonte mbrojtjen azilkërkuesve që kishin nevojë për siguri dhe madje do t’u mohonte mundësinë për të paraqitur çështjen e tyre. Kjo do të ishte një shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve”, shprehen ata.

Në bazë të planeve të publikuara të martën nga kryeministri Rishi Sunak, emigrantët ilegalë që mbërrijnë në vend me varka të vogla nuk do të kenë mundësi të kërkojnë azil, por do të arrestohen.

Lideri i konservatorëve sqaroi se emigrantët do të dëbohen brenda pak javësh, në vendin e tyre nëse është i sigurt, ose në vende të treta si Ruanda.

Kategoritë
BotaLajme