OKB: Sulmet me raketa në Ukrainë vështirësojnë jetën e miliona njerëzve

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se “miliona njerëz shtyhen drejt kushteve jashtëzakonisht të vështira dhe të tmerrshme jetese si pasojë e këtyre sulmeve”

Kombet e Bashkuara (OKB), theksuan se sulmet me raketa që ushtria ruse kryen në Ukrainë shtyjnë miliona njerëz drejt kushteve jashtëzakonisht të vështira dhe të tmerrshme jetese, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pretendimet e fundit për sulmet me raketa dhe dronë që ushtria ruse vazhdon në përmasa të gjera kundrejt pikave të infrastrukturës kritike të Ukrainës dhe lidhur me “ekzekutimin pa gjyq” të të burgosurve të luftës.

“Miliona njerëz shtyhen drejt kushteve jashtëzakonisht të vështira dhe të tmerrshme jetese si pasojë e këtyre sulmeve. Nëse merren parasysh të gjitha këto, kjo situatë shkakton probleme serioze në aspektin e ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Türk.

Sipas Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë, të paktën 8 persona humbën jetën dhe 45 të tjerë u plagosën në sulmin me raketa të ndërmarrë më 23 nëntor në Kiev dhe përreth tij.

Ndërsa në një sulm me raketa të kryer në një spital në rajonin Zaporishzhia, humbi jetën një foshnje dyditëshe dhe u plagosën 2 mjekë.

Nga Misioni Monitorimit i të Drejtave të Njeriut të OKB-së konfirmohet se është rritur në të paktën 77 numri viktimave civile dhe në 272 numri i personave që janë plagosur nga sulmet raketore që Rusia filloi më 10 tetor në mbarë Ukrainën.

Türk foli edhe për pretendimet se janë “ekzekutuar pa gjyq” personat e tjerë që nuk marrin pjesë në luftë as me rusët as me ukrainasit, të cilët janë burgosur që nga fillimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ai theksoi se njerëzit që qëndrojnë jashtë luftës, përfshirë edhe ushtarët e dorëzuar, mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, duke bërë të ditur se ekzekutimi pa gjyq i tyre konsiderohet “krim lufte”.

Kategoritë
BotaLajme