Olaf Scholz: “Shumë gjëra do të jenë ndryshe me Trumpin; zgjedhjet do të kenë pasoja edhe jashtë SHBA-së.”

Duke komentuar fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane, kancelari gjerman Olaf Scholz edhe një herë bëri thirrje për unitet euroatlantik.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, kancelari gjerman Olaf Scholz edhe një herë e përgëzoi Donald Trumpin për fitoren zgjedhore.

“Amerikanët votuan. Donald Trump qartazi ka fituar zgjedhjet. E përgëzoj për këtë. Presidenti Trump do të marrë detyrën në një kohë sfidash të mëdha dhe krizash. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti i tyre kanë një rol qendror në përballjen me to. Prandaj, zgjedhjet presidenciale në SHBA gjithmonë kanë pasoja përtej SHBA-së,” tha Scholz.

Duke komentuar deklaratat e mëparshme të Donald Trump gjatë mandatit të tij të kaluar, kancelari gjerman deklaroi se qeveria amerikane ende nuk është funksionale dhe se ende duhet të përcaktojë drejtimin e saj.

“Me siguri, shumë gjëra do të jenë ndryshe nën udhëheqjen e Donald Trump. Donald Trump gjithmonë e ka shprehur këtë publikisht. Mesazhet tona janë të qarta. Gjermania mbetet një partner i besueshëm transatlantik. Jemi të vetëdijshëm për kontributin që i japim këtij partneriteti dhe që do të vazhdojmë ta japim në të ardhmen,” shtoi kancelari gjerman.

“Lidhjet tona me Shtetet e Bashkuara janë më të ngushta se me çdo vend tjetër jashtë Evropës. Miliona qytetarë amerikanë kanë rrënjë gjermane. Prandaj, më mirë na shkon së bashku. Së bashku mund të arrijmë shumë më tepër sesa kundër njëri-tjetrit,” përfundoi Scholz.

Scholz shtoi gjithashtu se fushata zgjedhore amerikane tregoi se si shoqëritë mund të jenë të polarizuara dhe të ndara politikisht. Ai theksoi se pikërisht në momente të tilla bëhet e dukshme rëndësia e unitetit politik.

Kategoritë
BotaLajme