Omicron që “përhapet më shpejtësi” ngre alarmin në Rusi

Në një takim të kabinetit qeveritar në Moskë, Popova tha se në skenarin më të keq, numri i rasteve ditore mund të rritet në numra gjashtë-shifror

Kryeshefja e shëndetësisë së Rusisë, Anna Popova, ka deklaruar se lloji Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi në Rusi dhe situata duket se do të përkeqësohet në ditët e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një takim të kabinetit qeveritar në Moskë, Popova tha se në skenarin më të keq, numri i rasteve ditore mund të rritet në numra gjashtë-shifror.

Ajo tha se lloji Omicron është “përhapur me shpejtësi” në vend.

Gjatë festës së Vitit të Ri, numri i pacientëve të infektuar me Omicron u trefishua dhe aktualisht është 305.

Ajo tha se njerëzit duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse ndjejnë ndonjë simptomë të ngjashme me gripin dhe punëdhënësit duhet t’u kërkojnë punëtorëve me simptoma që të punojnë nga shtëpia.

Së fundmi, Rusia raportoi 17.525 raste të reja dhe 783 vdekje nga COVID-19.

Infeksionet në Moskë u rritën për 66 për qind gjatë ditës së kaluar, duke arritur në 4.635 raste ditore, shifra më e lartë në dy muaj.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, sot paralajmëroi se tashmë ka një prani “domethënëse” të llojit Omicron në Moskë.

Ai tha se infeksionet mund të rriten gjatë shtatë deri në 10 ditët e ardhshme, si dhe shtoi se mund të jetë “më e keq se në valët e mëparshme”.

Një paralajmërim tjetër erdhi nga Alexander Gintsburg, kreu i institutit shtetëror Gamaleya që zhvilloi vaksinën ‘Sputnik V’ të Rusisë, i cili tha se vendi së shpejti do të “mbulohet” nga lloji Omicron dhe autoritetet duhet të përgatiten për një numër “shumë të lartë” të infeksioneve.

Kategoritë
BotaLajme