Onkologu turk: Shkalla e suksesit në trajtimin e kancerit ka kaluar mbi 80 për qind

Metodat e reja të trajtimit sjellin zhvillime shumë serioze, veçanërisht tek disa lloje të kancerit, tha profesori turk i onkologjisë.

Falë zhvillimeve më të fundit në trajtimin e kancerit, shkalla e suksesit ka tejkaluar 80 përqindëshin, tha të enjten një mjek turk, raporton Anadolu.

Fevzi Altuntaş, kryetar dhe themelues i Shoqatës së Pacientëve të Leukemisë me qendër në Ankara, tha se trajtimet e kancerit kanë ndryshuar.

“Ka një tranzicion nga kimikatet në bioteknologji, imunologji, sistemin imunitar dhe terapitë qelizore”, tha ai.

“Burimi më i rëndësishëm i këtyre zhvillimeve është kërkimi klinik”, shtoi Altuntaş, i cili është gjithashtu shef në Spitalin e Trajnimit dhe Kërkimit Onkologjik të Ankarasë.

“Duke marrë parasysh 30 vitet e fundit në trajtimin e kancerit, shkalla e suksesit ishte rreth 40 për qind, kurse tani ka kaluar mbi 80 për qind”, shtoi ai.

Arsyeja më e rëndësishme për suksesin në shkallën e trajtimit të kancerit është pjesëmarrja në ekzaminimet klinike, tha ai, duke shtuar se “ekzaminimet klinike zgjasin mbijetesën në kancer”.

“Qasja në trajtime inovative është një shans për pacientët”, shtoi ai, duke sugjeruar se pacientët nuk duhet t’i perceptojnë kurrë këto trajtime si një situatë “subjekti eksperimental”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që pacientët që marrin trajtime standarde të marrin pjesë në ekzaminime të tilla klinike dhe t’i mbështesin ato”, tha ai.

Altuntaş iu drejtua gazetarëve turq të shëndetit në kryeqytetin Ankara që t’i kushtojnë rëndësi shënimit të Javës Kombëtare të Ndërgjegjësimit për Kancerin nga 1 deri më 7 prill gjatë ndonjë iftari në muajin e Ramazanit.

Duke theksuar se ky rast është i rëndësishëm për sensibilizimin e shoqërisë kundër kancerit, Altuntaş tha se sipas statistikave botërore të kancerit të vitit 2020, në vit shihen afërsisht 20 milionë raste të reja me kancer dhe çdo vit vdesin 10 milionë njerëz nga kanceri.

Duke shpjeguar se vdekjet nga kanceri pritet të rriten deri në vitin 2030, Altuntaş tha se metodat e reja të trajtimit sjellin zhvillime shumë serioze, veçanërisht në disa lloje kanceri.

“Për shembull, vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës janë ulur me rreth 65 për qind”, tha ai. “Vdekjet për shkak të kancerit të nyjeve limfatike dhe leukemive gjithashtu janë ulur ndjeshëm”, shtoi Altuntaş.

Sipas tij, ndërkohë që numri i të sëmurëve me kancer është në rritje, vdekjet nga kanceri janë në rënie krahasuar me periudhat e mëparshme.

Kategoritë
BotaFamiljeLajmeShëndetësi