Operacion antidrogë në Shqipëri, arrestohen 11 persona dhe sekuestrohen 870 kilogramë kanabis

Gjatë operacionit të koduar “Stuhia” janë sekuestruar 870 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, ndërkohë janë arrestuar 11 shtetas shqiptarë dhe shoqëruar dhjetëra të tjerë.

Policia e Shqipërisë ka realizuar një operacion antidrogë në vend, duke sekuestruar 870 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, ndërkohë janë arrestuar 11 shtetas shqiptarë dhe shoqëruar dhjetëra të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë operacionit të koduar “Stuhia” që është organizuar më 10 nëntor janë shoqëruar edhe 95 shtetase të Shqipërisë që sipas autoriteteve shqiptare janë konstatuar në serrat përshtatura për përpunimin e llojit të lëndës narkotike kanabis sativa, të cilat pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre do të hetohen në gjendje të lirë.

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Neritan Nallbati, në një konferencë për mediat dha detaje në lidhje me operacionin e organizuar në një fshat të Qarkut të Beratit, në jug të Shqipërisë, ku është konstatuar përdorimi i serrave për prodhimin dhe përpunimin e bimëve narkotike.

Nallbati tha se në territorin e fshatit Rërëz u lokalizuan serrat për të cilat sipas tij policia dispononte informacion se brenda tyre kryhej procesi i përpunimit të bimëve narkotike, si dhe ambalazhimi i lëndës narkotike.

“Shërbimet e policisë kanë kapur në brendësi të serrave, dhe kanë arrestuar në flagrancë 11 perona të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale. Në ambientet e brendshme të serrave janë gjetur disa shtetase, nga zonat periferike të Tiranës, të cilat kryenin përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike kanabis sativa”, tha ai.

Nallbati shtoi se shtetaset që janë gjetur brenda serrave janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, për veprime të mëtejshme hetimore, sipas tij “me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e rolit të secilës prej tyre në këtë veprimtari kriminale”.

“Në vijim të këtij megaoperacioni, shërbimet e policisë gjetën në brendësi të serrave dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale, 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis, në proces përpunimi dhe 8 thasë të mbushur me boçe kanabisi, me peshë totale rreth 870 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, nga kontrolli ne brendësi të serrave, janë gjetur dhe sekuestruar mjete të ndryshme që shërbenin për përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike”, tha Nallbati.

Nallbati tha se serrat kanë shërbyer për prodhimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për ambalazhimin e lëndës narkotike, sipas tij me qëllim trafikimin e saj.

Kategoritë
LajmeRajoni