Operacion i ndërlikuar: Zbulohet se si Assad e transferoi pasurinë nga Siria në Rusi

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, më 8 dhjetor u largua nga vendi dhe kështu përfundoi sundimin e tij 24-vjeçar. Tani është zbuluar se si ai e transferoi pasurinë e tij në Rusi, ku edhe ndodhet aktualisht.

Sipas Reuters, operacionin për nxjerrjen e pasurisë, e cila përfshinte para të gatshme, ar dhe sende të tjera me vlerë, e ka udhëhequr Yasar Ibrahim, këshilltari i tij kryesor ekonomik prej vitesh.

Ai siguroi një avion Embraer Legacy 600, me të cilin pasuria u dërgua nga Damasku në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe prej aty në Moskë, ku presidenti rus Vladimir Putin i dha Assadit azil politik.

Ky avion, sipas të dhënave të disponueshme, ka fluturuar katër herë në linjën Siri–EBA brenda vetëm 48 orëve, duke i mundësuar Assadit të transferojë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë në shtëpinë e tij të re.

Fluturimi i fundit u nis nga baza ruse Khmeimim, prej nga Assad, disa orë më pas, iku drejt Rusisë, përpara rebelëve që po hynin në kryeqytetin sirian.

Avioni transportonte çanta të zeza pa shenja, me së paku 500.000 dollarë para të gatshme, si dhe dokumente, laptopë dhe disqe të forta me të dhëna të rëndësishme të inteligjencës mbi “Grupin” – emri kodues që Assad dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin për një rrjet kompleks të subjekteve që përfshinte telekomunikacionin, bankat, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe sektorë të tjerë, shkruan Reuters.

Lëvizjet e Assadit ishin mbajtur të fshehta edhe nga anëtarët më të afërt të familjes së tij në ditët e fundit të regjimit.

Më 6 dhjetor, ndërsa rebelët e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham po përparonin drejt kryeqytetit, avioni Embraer po afrohej në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut. Më shumë se dhjetë pjesëtarë të Shërbimit të Inteligjencës Ajrore – instrumenti kryesor i shtypjes politike nën Assadin – u mobilizuan për të siguruar sallën e ceremonive, zonën VIP të aeroportit dhe rrugët hyrëse.

Disa automjete civile me xhama të zinj u afruan në atë zonë. Ato i përkisnin Gardës Republikane elitare, të ngarkuar për mbrojtjen e Assadit dhe Pallatit Presidencial.

Avioni C5-SKY fluturonte çdo herë drejt aeroportit Al Bateen në Abu Dhabi, të cilin e përdorin personalitetet dhe është i njohur për rregulla të rrepta privatësie. Sa herë që zbriste, makinat i afroheshin avionit, qëndronin për pak minuta dhe largoheshin pak para ngritjes së avionit, zbuloi një burim për Reuters.

Fluturimet nga Damasku, përveç parave, transportonin edhe piktura dhe skulptura të vogla, tha i njëjti burim.

Më 7 dhjetor, avioni u kthye në Damask dhe u nis drejt Al Bateen për herë të tretë, pak më shumë se një orë më vonë, këtë herë i ngarkuar me çanta me para, si dhe me disqe të forta dhe pajisje elektronike që përmbanin të dhëna për rrjetin korporativ të Assadit.

Të dhënat e ruajtura përfshinin raporte financiare, procesverbale mbledhjesh, pronësi të kompanive, pasuri të paluajtshme dhe partneritete, si dhe detaje për transferta të parave dhe kompani apo llogari offshore.

Këtë herë, automjete të ambasadës së EBA-së në Damask iu afruan zonës VIP të aeroportit para se avioni të ngrihej.

Në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, luftëtarët rebelë arritën në Damask, gjë që e detyroi Assadin të arratisej drejt bastionit të tij bregdetar në Latakia, në koordinim me forcat ruse. Aeroporti i Damaskut pushoi së funksionuari.

Po atë ditë, Assad përfundimisht e la Sirinë dhe shkoi në Moskë.

Kategoritë
BotaLajme