Opozita bojkotoi seancën, Konjufca ngacmon Zemajn: “Sikur me marrë topin me vete”

Deputetët e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bojkotuar seancën parlamentare pas refuzimit që shumica i dha dy projektligjeve të propozuara nga deputetët opozitarë.

Kësisoj, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa u shqyrtuar të gjitha pikat e rendit të ditës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i tha me ironi deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemajt, se po mban inat me deputetët e pushtetit që nuk votuan “pro” propozimit të tij ligjor, të shqyrtuar në seancën e sotme.

“Kjo i bjen sikur tu lu, me e marrë topin me vete, Armend”, tha Konjufca me ironi.

Pak para mbylljes së punimeve të kuvendit, Konjufca lëshoi një sqarim për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili kritikoi qeverinë për procedimin në kuvend të “vetëm 57 ligjeve”.

Konjufca i tha Haxhiut se i ka statistikat e gabuara.

“Para se të kalojmë tek pika tjetër, kam një sqarim për z. Bekim Haxhiu për çështje të agjendës legjislative. Duhet t’i saktësojmë gjërat, sepse nuk janë 57 ligje të proceduara nga ana e qeverisë. Z. Haxhiu, deri tash janë 95 projektligje të propozuara nga qeveria”, tha Konjufca.

Kategoritë
LajmeVendi