Opozita izraelite kritikon bastisjen e Xhamisë Al-Aksa nga ministri Ben-Gvir

“Detyra e tij është të lehtësojë tensionin, por Ben-Gvir në vend të kësaj krijon provokim”, tha Yair Lapid

Lideri i opozitës izraelite Yair Lapid kritikoi ashpër bastisjen e bërë nga ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ndaj kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Zyrtari i ekstremit të djathtë dje hyri me forcë në kompleks nën mbrojtjen e policisë izraelite, në vizitën e dytë të këtillë që kur ai u bë pjesë e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në fund të vitit të kaluar.

Ben-Gvir më pas, në një video mesazh nga oborri i xhamisë, pretendoi se kompleksi është pronë e Izraelit.

“Detyra e tij është të lehtësojë tensionin, por Ben-Gvir në vend të kësaj krijon provokim”, tha Lapid, kreu i Partisë Yesh Atid, për Radion e Ushtrisë Izraelite.

Duke e përshkruar Ben-Gvirin si politikanin më të diskutueshëm të Izraelit, Lapid, një ish-kryeministër, tha se Ben-Gvir është “një njeri i papërgjegjshëm dhe fanatik”, i cili nuk duhej lejuar të bëhej ministër i Sigurisë Kombëtare.

Ben-Gvir ka pikëpamje të ekstremit të djathtë për palestinezët dhe ka bërë thirrje për zhvendosjen e tyre. Ai u është bashkuar vazhdimisht kolonëve izraelitë në bastisjet e bëra ndaj kompleksit të Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

Nëntorin e kaluar, presidenti izraelit Isaac Herzog paralajmëroi në një audio të rrjedhur se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pikëpamjet e ekstremit të djathtë të ministrit Ben-Gvir.

Izraeli ka lejuar kolonët në kompleksin Al-Aksa pothuajse çdo ditë që nga viti 2003, me përjashtim të të premteve dhe të shtunave.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë të Islamit. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Më pas, Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme