Opozita kërkon dorëheqje morale për vrasjen e shtatzënës para Klinikës së Gjinekologjisë

Dorëheqje morale për rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë kanë kërkuar sot deputetët e dy partive opozitare PDK dhe LDK.

Sipas tyre kjo vrasje ka ndodhur brenda këtij institucioni publik të ShSKUK-së.

Këtë kërkesë ata e paraqitën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale para të cilit sot po raportonte ushtruesja e detyrës së ministritë të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku bashkë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu.

Përkundër që në komision çështje diskutimi ishte ndarja buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2023 për dikasterin e shëndetësisë, ishte vetë ushtruesja e detyrës së kreut të shëndetësisë kosovare, Dafina Gexha-Bunjaku e cila fjalimin e saj para ligjvënësve e nisi duke shprehur ngushëllime për vrasjen e shtatzënës para Gjinekologjisë.

Por, me këtë ngushëllim nuk u mjaftua, pasi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili u shpreh se jo për shkak të përgjegjësisë, por pasi vrasja ka ndodhur brenda hapësirave të QKUK-së duhet të ketë dorëheqje morale.

Zemaj madje kërkoi dorëheqje dhe për rastin e keqtrajtimit psikologjik nga një logoped, për të cilin sipas tij si rast ShSKUK u munda ta mbajë të fshehtë.

“Rasti i mbrëmshëm do të ishte pak thirrje morale dhe thirrje të ndërgjegjes morale të pozitave çfarë mbani, sepse është privuar nga jeta një zonjë në pritje të fëmijës në derë të Klinikës, jo në oborrin e QKUK ashtu siç e keni thënë në deklaratë dhe që keni thënë se ka ndodhur një vdekje, fatkeqësisht, kështu nuk duhet të apostrofohen gjërat as me nguti…Pavarësisht peshës së rëndë, mendoj që njëra pozitë do të duhej sot të dorëhiqej ose dje në kuptim e asaj që ka ndodhur, jo në atë të përgjegjësisë të drejtpërdrejtë që e keni, por të përgjegjësisë morale brenda institucionit të shëndetësisë që ju e udhëhiqni”, u shpreh Zemaj.

Por ishte kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku që ia ndërpreu fjalën Zemajt duke i thënë të fokusohet te çështja për çka është ftuar kjo mbledhje.

Kërkesë për dorëheqje morale kishte edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i cili tha se dorëheqje morale do të duhej të jepte drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, por edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së.

Sipas tij, kjo paciente, e cila kishte ardhur për ndihmë mjekësore, u vra në dorën e mjekëve.

“Një paciente e pranuar në Klinikën e Gjinekologjisë në prag të lindjes, e cila është vrarë bashkë me fëmijën e pa lindur, a ka ndonjë përgjegjësi të drejtorit? Si lihet një nënë e pacientit vetëm, e cila ka qenë nën mbrojtje të shtetit nëse nuk ka përgjegjësi dhe dorëheqje morale të drejtorit të Gjinekologjisë të tuajën se nuk po e kërkoj prej ushtrueses së detyrës, sepse kjo nga dorëheqja është zëvendësministër, por të kishte pasur ministër të Shëndetësisë do t’ia kërkoja dorëheqjen morale, sepse në kujdesin e shtetit ku pacientja ka shkuar të merr shërbimin e nevojshëm, kujdesin e nevojshëm shëndetësor është vrarë në dorën e mjekëve”, tha ai.

Sa i takon çështjes së buxhetit, ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku se buxheti i këtij dikasteri për vitin 2023 është rritur për mbi 27% dhe si i tillë është koncentruar kryesisht në përmirësim të cilësisë së shërbimeve aktuale, por edhe në ofrim të shërbimeve të reja.

Sipas saj, krahas investimeve kanë paraparë edhe shtim të 299 profesionistëve shëndetësorë, por edhe të 42 trupave inspektues me qëllim të rriten inspektimet në institucionet shëndetësore.

“Pra, kemi një rritje 27.62%, në ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës dhe pajisjeve për vitin 2022 kanë qenë 10 milionë e 63 mijë për investime kapitale, për vitin 2023 do të jetë 18 milionë e 403 mijë që kemi një rritje prej 83%… Do t’i shtohen edhe 42 inspektorë shëndetësorë dhe farmaceutikë, dhe me këtë synohet të rritet dhe trefishohet edhe numri i inspektimeve, duke bërë inspektime të rregullta dhe permanente në institucione shëndetësore. Po ashtu, nga lista esenciale e barnave për MSH buxheti në 2022 ka qenë 11 milionë e 180 mijë, ndërsa për vitin 2023 është 21 milionë e 161 mijë e 734 dhe kjo rritje e buxhetit krahasuar me vitin 2022 është 89.9%… Sa i përket listës së pritjes dhe diagnostikës, ky buxhet parasheh përmirësimin e cilësisë së shërbimeve aktuale por edhe për sa na lejon buxheti edhe krijimi i shërbimeve të reja. Lista e pritjes do të jetë, por për ofrim të cilësisë kur rritet cilësia sigurisht që nuk ofrohen shërbimi për 5 minuta që ta zvogëlojmë listën e pritjes”, u shpreh ajo.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu u shpreh se në vitin 2023 ky institucion gëzon buxhetin më të madh, i cili kryesisht është i koncentruar në modernizimin dhe funksionalizimin e Klinikave.

Sipas saj, në vitin e ardhshëm synojnë edhe funksionalizimin e Spitalit të Podujevës, derisa u shpreh se investime po planifikojnë edhe në spitalet tjera regjionale.

Ajo si projekt të reja ajo përmendi spitalin e nefrologjisë dhe hematonoligjisë, pastaj përfundim të objektit të Ortopedisë por edhe investime në Klinikën e Gjinekologjisë.

Si risi u.d. e drejtorit të ShSKUK-së përmendi edhe shërbime me IVF-së dhe Klinikën Ditore.

Si plan i ShSKUK është që në vitin e ardhshëm t’i vënë në shërbim 5 aparatura të rezonancës magnetike, për çka Zejnullahu si sfidë paraqiti trajnimet e profesionistëve shëndetësor në këtë aspekt, por edhe mirëmbajtjen e tyre.

“Si ShSKUK buxheti i alokuar 10 milionë më tepër me theks të veçantë në listën esenciale të barnave që është kruciale. Plus edhe 100 numra shtesë për funksionalizimin në vitin e ardhshëm të spitalit të Podujevës që do të jetë i ri… Planifikimi për bunkerin për akselerator, sepse e kemi bërë kontratën dhe e kemi futur në kuadër të buxhetit, por për shkak të bunkerit e kemi futur dhe do ta përfundojmë edhe bunkerin dhe kjo pjesë në Onkologji do të përfundohet… Është një risi që kem bë planifikim bashkë me menaxherët e klinikave dhe si domosdoshmëri dhe vizion tjetër është krijimi i spitaleve për trajtim ditor, të cilët do të punohet në kuadër të kodit buxhetor për modernizimin e QKUK. Këtu nënkupton fillimi i Klinikës ditore për pacientët klinikë-urologjikë, atyre me sëmundje të mushkërive dhe në gjinekologji do të fillohet me renovim të spitalit… Çka janë risi edhe të cilat janë buxhetuar është pjesa e parë e projektit të IVF-së siç e dini ndërtesa ka përfunduar dhe këtë vit do të filloj ardhja e pajisjeve për IVF dhe risi tjetër është fillimi i aktivizimit të njësisë spinale është bërë edhe buxhetimi”, u shpreh ajo.

Pas shpalosjes së planeve për buxhetin 2023 në shëndetësi nga u.d. e udhëheqësve në këtë sektor, ishin deputetët kryesisht të opozitës që kritikuan qeverisjen me këtë sektori dhe ngritën si shqetësim ikjen e mjekëve, mungesën e investimeve, listën e gjatë të pritjes por edhe mungesën e barnave nga lista esenciale.

Ishte deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj i cili u shpreh se ajo që është shpalosur si plan për vitin 2023 është më shumë dëshirore, por mungon strategjia.

“Po kjo nuk është asgjë e çuditshme kur shembull jemi pa ministër të Shëndetësisë dhe kjo e definon hapur që MSh nuk ka qenë prioritet i kësaj qeverie. Përshëndes rritjen e buxhetit, por buxheti nuk është rritur në segmentet e identifikuara nga shoqëria civile që janë identifikuar si probleme. Shkaku kryesor që 69% e mjekëve e kanë lëshuar institucionet publike dhe kanë dal në private ose e kanë lëshua krejt Kosovën 69% ka qenë problem paga ”, tha ai.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kryeson Komisionin për Shëndetësi, Fatmir Kollçaku kërkoi më shumë inspektim në spitalet private, derisa tha se ato me pagat e larta që po ua ofrojnë profesionistëve shëndetësor po e shantazhojnë shtetin.

“Normal që me një shumë 3000-5000 euro ky është shantazh ndaj shtetit nëse t’i e ofron një pagë me kushte të Kosovës”, u shpreh ajo.

Kritika pati edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se dy komponentët kryesore si sistemi informativ shëndetësor SISH-i dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk janë përfshirë në buxhet.

“Kjo përqindje është e barabartë me vitin 2009, atëherë kur ka qenë 3.2 projektbuxheti për shëndetësisë në përqindje të GDP në vend. E thamë edhe te MSH, e potencuat se fare nuk potencohet sistemi informativ shëndetësor (SISH) as ju në fjalën tuaj, por as Fondi për Sigurime Shëndetësore dhe këto janë dy elemente kyçe edhe në avancim të shërbimeve por edhe në realizim të sistemit shëndetësor në vend edhe planifikimet, edhe investimet do të ishin të karakterizuara në koordinim të plotë edhe të SISH edhe të Fondit këtu nuk ka… Të gjitha projektet janë vazhdimësi e viti 2022 po të kishte qenë viti 2022 efikas sigurisht që kishte me pas më shumë projekte të reja”, tha ai.

Po ashtu edhe deputeti tjetër opozitar, Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së tha se me këtë rritje buxhetore për shëndetësinë më shumë po bëhet propagandë me shifra.

“296 milionë euro buxhet më i madhi ndonjëherë siç po thonë këta të pushtetit, por a keni shikuar buxhetin e vitit 2021 seriozisht a keni shikuar këtë buxhet sa ka qenë 296 milionë e 300 mijë euro, buxheti 272 milionë euro buxheti i viti 2020. Ky buxhet është rritur për 38 milionë krahasuar me vitin 2022. Propaganda bëni, e drejtë e juaja është, por mos ejani t’ua fyeni inteligjencën këtyre deputetëve të mazhorancës, mua kurrë, që e përcjelli këtë sektor me shifra dhe të dhëna” ,tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi