Opozita në Tiranë ka protestuar sërish këtë të shtunë, para Kryeministrisë.
Pas një kohe relativisht të gjatë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu bashkua fizikisht kësaj proteste dhe u ngjit në podium përballë protestuesve që sot janë mbledhur para Kryeministrisë.
Fjalën e tij e nisi me falenderime për të gjithë ata që i janë bashkuar opozitës.
Ai tha se asgjë nuk e mposht këtë forcë politike, duke theksuar se historia e deshi “të rrëzojë dy diktatura”.
Gjatë fjalës së tij Berisha shtoi se qeveria u përpoq të zhdukë PD-në dhe opozitën, por sot demokratët janë më të fortë se kurrë.
“Prokuroria edhe gjykatat e narkoshtetit janë kundër nesh. Ne përsëri qendrojmë të sigurtë në fitoren tonë. Ne arritëm të bëjmë pluhur, të shembim ëndrrën e pasardhësit të xhelatit komunist, xhelatit që firmosi varjen e Havzi Nelës, Edi Ramës dhe monstrës së njerëzimit Xhorxh Soros të Shqipërisë pa opozitë. Gjithçka bënë, gjithçka u bë që Shqipëria të mbetej pa opozitë. Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës, me urdhër të Ramës ish-Presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrygës dhe u filmua, duke menduar ky kriminel se do të tmerronte opozitën. Me urdhër të Edi ramës me mbështetjene Soros, deputeti ynë, martirtri i gjallë i fjalës së lirë, Ervin Salianji u burgos sepse u përball dhëmb për dhëmb me klanin mafioz më të rrezikshëm klanin Rama-Xhafa. Menduan se do të na trembin, por gabuan rëndë, ja ku e kemi ne 200 metra më tutje princin tonë të përjetshëm Skënderbeun. Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i Lirisë, jo mor jo përkundrazi do të tmerrohen ata që mund të mendojnë se do mund të na trembin ne”, tha Berisha.
Për Berishën sot opozita është më e bashkuar se kurrë, pasi rimori simbolet e saj, flamurin dhe vulën.
“Të dashur qytetarë shqiptarë kudo që jeni sonte. Në Shqipëri jashtë saj dhe kudo në botë. E nis fjalën time me një përulje para jush, me një falenderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët dhe opozitarët, në pak kohë ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak, vetëm një vit më parë në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit, lideri i opozitës ishte i arrestuar, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetetutën, dhe unë fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik. Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që do të kemi.
Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi, se ata që menduan se do të na mposhtin ne dështuan me turp, ne jemi të pamposhtur. Ne jemi të pamposhtur sepse ne u bashkuam, ne jemi të pamposhtur se mbrojmë kauzë të drejtë, ne mbrojmë vlerat më të arrira, mbrojmë interesin kombëtar, familjen, kombin. Ndaj vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës që e bëjmë të mundur. Si PD që të pamundurën e bën të mundur. Sot kemi vulë dhe flamur, jemi më të bashkuar se kurrë, sot me tre rezoluta ndërkombëtare jemi forca politike më e përkrahur, sot jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën, do fitojmë. Historia deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbysi dy diktatura, atë Staliniste të Enver Hoxhës dhe atë të bastardit të bllokut, Edi Ramës. Asgjë nuk marrim ne si dhuratë, ne gjithçka meritojmë në betejën tonë. Rroftë PD“, tha ai.
Rreth 1 mijë forca policie janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen, ndërsa Garda ka marrë masa për fortifikimin e dyerve të institucioneve.