Orban dhe hungarezët po depërtojnë gjithnjë e më thellë në Ballkan: Rolin kryesor në gjithçka e ka kompania e tij e preferuar

Pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut, disa prioritete të politikës së jashtme të vendit kanë ndryshuar, dhe në këtë situatë, kryeministri hungarez Viktor Orban pa një mundësi.

Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, njoftoi në një mbledhje të qeverisë se kompania hungareze e telekomunikacionit 4iG planifikon të hyjë në tregun e këtij vendi.

“Pas ndryshimit të pushtetit në Shkup, qeveria hungareze i miratoi një kredi prej 500 milionë eurosh Maqedonisë, me kushte të favorshme kredie, dhe janë në tavolinë edhe opsione të tjera kredish. Ky financim mund të konsiderohet si një nga investimet politike të qeverisë hungareze për të forcuar ndikimin në Ballkan,” shkruan portali 444.hu.

Ata gjithashtu theksuan se në të kaluarën, përfitimin më të madh nga kjo e kanë pasur Janez Janša, Milorad Dodik dhe Aleksandar Vučić.

“Një nga kompanitë e rëndësishme në këtë drejtim është edhe 4iG, e cila tashmë ka siguruar pozita të rëndësishme në Mal të Zi dhe Shqipëri, dhe me hyrjen në Maqedoninë e Veriut planifikojnë të forcojnë më tej praninë në rajon,” theksohet në raportimet e mediave hungareze.

Edhe pse 4iG konsiderohet si një kompani private, mediat hungareze në disa raste kanë shkruar për lidhjet e kompanisë me Viktor Orbanin.

Historia u intensifikua veçanërisht në vitin 2021, kur Orban ndërmjetësoi që 4iG të blinte kompaninë hungareze të telekomit Invitech, një proces që zgjati me muaj.

“Kjo tregoi se 4iG është një prioritet për qeverinë hungareze. Ka pak kompani në Hungari që vitet e fundit kanë marrë një mbështetje kaq të madhe shtetërore dhe vëmendje të drejtpërdrejtë nga kryeministri. Rezultati është që 4iG, e cila disa vite më parë ishte një kompani mesatare hungareze e IT-së, brenda një periudhe të shkurtër është bërë një nga korporatat më të mëdha në vend, me praninë e saj në disa vende të Ballkanit,” shkruan portali Direkt36.hu.

Theksohet se 4iG është një kompani që po zgjerohet shpejt në industri që dikur ishin konkurruese, por me një përkrahje shumë të fortë nga qeveria hungareze, duke e përshkruar kështu kompaninë si “të preferuarën e Viktor Orbanit.”

“Shteti e ndihmoi ngritjen e 4iG jo vetëm me mjete zyrtare dhe rregullatore. Kompania gjithashtu përfitoi nga një numër i madh burimesh shtetërore duke u bërë një nga përfituesit më të mëdhenj të ashtuquajturit Program i obligacioneve të rritjes së Bankës Kombëtare të Hungarisë. Në kuadër të këtij programi, banka qendrore blinte obligacionet e kompanive të ndryshme, duke u bërë kështu kreditor i këtyre kompanive. Sipas vlerësimeve, 4iG përmes programit mori 235 milionë euro fonde shtetërore, çka përbënte një ndihmë të madhe shtetërore,” analizojnë hungarezët.

Kompania e telekomunikacionit për Orbanin ka edhe një rëndësi ndërkombëtare.

“Orban ka qenë për një kohë të gjatë aktiv në Ballkanin Perëndimor, ku ka ndërtuar aleanca të ngushta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ndan tendencat e tij autokratike, me liderët e serbëve të Bosnjës dhe me figura të tjera me ndikim në rajon. Një element i rëndësishëm i strategjisë ballkanike të Orbanit, sipas një burimi të afërt me qeverinë, është që ndikimi gjerman-austriak, dikur i fuqishëm në rajon, është dobësuar, dhe Orban po përpiqet ta zëvendësojë atë,” theksohet.

Pjesë e kësaj strategjie janë edhe investimet e jashtme, çka për Orbanin është një nga temat e tij të preferuara.

“Investimi në Ballkan është i rëndësishëm për të sepse Orban e sheh Ballkanin si një rajon ku mund të luajë një rol kryesor rajonal. Ballkani është vendi ku mund të jemi Perëndim,” tha një burim i afërt me zyrtarët e qeverisë hungareze.

Kategoritë
LajmeRajoni