Orban ndalon paradat e krenarisë: “Njerëzit normalë si ne janë nën provokim të vazhdueshëm”

Deputetët hungarezë kanë votuar për miratimin e ndryshimeve të reja kushtetuese të propozuara nga partia populiste në pushtet, të cilat synojnë komunitetin LGBTQ.

Ndryshimet përfshijnë konfirmimin ligjor të ndalimit të mbajtjes së Paradës së Krenarisë, si dhe një dispozitë që shpall se njerëzit mund të jenë vetëm të gjinisë mashkull apo femër.

Pritej që amendamentet të miratoheshin lehtë, duke marrë parasysh se partia Fidesz e Viktor Orbanit gëzon shumicën dy të tretash, me mbështetjen edhe të deputetëve të ekstremit të djathtë.

Disa nga amendamentet e miratuara të hënën bazohen në një ligj të miratuar më 18 mars, i cili ndalon paradën vjetore të krenarisë në vend, duke kufizuar efektivisht lirinë e tubimit.

“Nuk do të lejojmë që ideologjia ‘woke’ të rrezikojë fëmijët tanë”, tha Orban në mars duke mbrojtur këtë vendim.

Amendamentet gjithashtu kodifikojnë “të drejtat e fëmijëve” me pretendimin se “zhvillimi i tyre i duhur fizik, mendor dhe moral ka përparësi ndaj të gjitha të drejtave të tjera themelore”, përveç së drejtës për jetë.

“Njerëzit normalë si ne janë nën provokim të vazhdueshëm, sepse njerëzit që jetojnë me sjellje seksuale jo tradicionale… shpërthejnë në rrugë”, shtoi Orban si përgjigje ndaj protestave publike për amendamentet.

Para miratimit të ndryshimeve kushtetuese, partia opozitare Momentum u përpoq të bllokonte parlamentin për të parandaluar votimin, duke pretenduar se Orban po e çon Hungarinë drejt një autoritarizmi si ai i Vladimir Putinit në Rusi, raporton AP.

Komiteti Hungarez i Helsinkit, një organizatë për të drejtat e njeriut me seli në Hungari, shpalli protestë pas votimit, duke shtuar se ligji përfaqëson një “përshkallëzim të rëndësishëm në përpjekjet e qeverisë për të shtypur mospajtimin dhe për të dobësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Organizatat për të drejtat e njeriut, si Unioni Hungarez për Liritë Civile dhe Amnesty International, u kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të nisë procedura kundër qeverisë hungareze, duke argumentuar se amendamentet dhe ligjet e fundit bien ndesh me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Kategoritë
BotaLajme