Qeveria hungareze po planifikon një ligj që do të parandalojë protestuesit të bllokojnë urat, me arsyetimin se kjo bëhet për të mbrojtur të drejtat e atyre që nuk protestojnë, deklaroi të premten kryeministri Viktor Orban.
Urat, veçanërisht në kryeqytetin Budapest, i ndarë nga lumi Danub, janë bërë pika të nxehta të protestave kundër qeverisë në vitet e fundit, teksa demonstruesit përpiqen të ushtrojnë presion për kërkesat e tyre.
Të martën, mijëra protestues u mblodhën në urën “Elisabeth” në Budapest për të protestuar kundër një ligji të ri që synon të ndalojë marshimin vjetor të komunitetit LGBTQ+, një ligj që kritikët e shohin si pjesë e shtypjes më të gjerë të lirive demokratike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2026.
Orban, i cili po përballet me një sfidë të fortë nga një parti opozitare në rritje para zgjedhjeve, ka kritikuar komunitetin LGBTQ+ dhe ka premtuar se do të kufizojë financimin e huaj për mediat e pavarura dhe organizatat joqeveritare në Hungari.
“Liria e tubimit është e rëndësishme… por nuk është normale që, në të njëjtën kohë, mijëra apo dhjetëra mijëra njerëz të ngecin në trafik”, tha Orban në një intervistë për radion shtetërore.
Orban, i cili është në pushtet që nga viti 2010, tha se ligji i ri është i nevojshëm për të parandaluar bllokimin e urave, sepse aktualisht vendimet gjyqësore e lejojnë një gjë të tillë.
“Gjyqtarët zbatojnë ligjin që është miratuar nga qeveria… Mund të bëjmë një gjë – mund ta ndryshojmë ligjin për të parandaluar bllokimin e disa urave bazuar në vendime gjyqësore”, tha Orban.
Parlamenti, i cili dominohet nga partia Fidesz e Orbanit, miratoi muajin e kaluar një ligj që ndalon organizimin e Paradës së Krenarisë, me arsyetimin se mund të jetë e dëmshme për fëmijët. Organizatorët e festivalit thonë se nuk përbën asnjë rrezik për fëmijët dhe planifikojnë të mbajnë ngjarjen pavarësisht ndalimit.
Më herët, Orban kishte deklaruar se fakti që mund të mbahen tubime si ai i së martës dëshmon se nuk ka kërcënim për demokracinë në vend, duke i quajtur protestat e opozitës kundër ndalimit të Pride-it “provokime”.