Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është ndalur te vizita e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ka dhënë përgjigje edhe për pyetjen se pse policia hungareze nuk e arrestoi atë, sipas urdhrit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Duke folur për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Orban tha se që nga hyrja e Hungarisë në këtë sistem kanë ndodhur ndryshime të shumta gjeopolitike.
“Ka kaluar kohë e gjatë që kur u anëtarësuam në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur ndryshime serioze në skenën politike ndërkombëtare, dhe një pjesë e rëndësishme e organizatave ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e sistemeve globale të pushtetit dhe përplasen me pavarësinë e shteteve anëtare,” tha Orban.
Më pas, ai iu përgjigj edhe pyetjes pse Hungaria nuk e arrestoi Benjamin Netanyahun.
“Në pyetjen se pse nuk e arrestuam kryeministrin izraelit, mund të jap tri përgjigje: Nuk është zakon të arrestohen mysafirët. Ne nuk deshëm ta bëjmë. Izraeli është miku ynë. Qëllimi dhe kuptimi i politikës së jashtme të një vendi është të mbledhë miq. Së fundi, edhe sikur të donim, nuk do të mund t’i jepnim urdhër policisë për ta bërë një gjë të tillë, sepse asnjëherë nuk e kemi publikuar këtë marrëveshje ndërkombëtare,” tha kryeministri hungarez.
Në fund, Orban akuzoi Brukselin se po përhap antisemitizëm.
“Jetojmë në një botë ku antisemitizmi po rritet çdo ditë në Evropën Perëndimore. Duke mos dashur ta ndalin migracionin, në Bruksel – dashur pa dashur – po rrisin antisemitizmin në Evropë. Si një përjashtim në Evropë, e shohim që diku ekziston zero tolerancë ndaj antisemitizmit, siç është rasti në Hungari,” përfundoi Orban. /Gazetaere