Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi se vendimi ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, është një “gjueti politike e shtrigave”. Në një postim në rrjetin social X, ai shkroi se ky vendim është një shembull i trishtuar i instrumentalizimit të sistemit ligjor.
“Gjuetia politike e shtrigave kundër presidentit Milorad Dodik është një shembull i trishtuar i përdorimit të sistemit ligjor si armë kundër një lideri të zgjedhur në mënyrë demokratike. Nëse duam të ruajmë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ky nuk është rruga e duhur!”, shkroi Orban.
Sot, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e shpalli Dodikun fajtor për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në BiH, duke e dënuar me një vit burg dhe ndalim nga posti i presidentit të Republikës Sërpska për gjashtë vjet, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit.