Osmani: Duam që vëllimin e tregtisë dypalëshe mes Ankarasë dhe Shkupit ta rrisim në 1 miliard dollarë

Osmani njoftoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe arrin në 900 milionë euro, si dhe theksoi se kanë rënë dakord që “pragu për vitin e ardhshëm të jetë 1 miliard”

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka theksuar se duan që vëllimin e tregtisë dypalëshe mes Türkiye-s (Turqia) dhe Maqedonisë së Veriut ta rrisin në 1 miliard dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Osmani, i cili qëndron në një vizitë zyrtare në Türkiye, ka zhvilluar një takim me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, ndërsa pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Ai tha se me vizitën e tij në Türkiye do të shënojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa shtoi se Türkiye është një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e vendit të tij, si dhe vendi i parë që ka dërguar ambasador.

Osmani theksoi se në vitet e kaluara Türkiye ka siguruar mbështetje dhe bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut. Ai mes tjerash falënderoi Türkiye-n për mbështetjen e dhënë lidhur me integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Ai po ashtu njoftoi se Türkiye është në vendin e shtatë në shkëmbimin tregtar me Maqedoninë e Veriut.

“Shqyrtuam edhe temat e shumta të bashkëpunimit të ndërsjellë sektorial, të arsimit, të kulturës, me fokus të veçantë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë. Së bashku ramë në përfundim se ekziston një hapësirë ​​e madhe për rritjen, përmirësimin dhe avancimin e marrëdhënieve tona të ndërsjella”, tha ai.

Osmani njoftoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe arrin në 900 milionë euro, si dhe theksoi se kanë rënë dakord që “pragu për vitin e ardhshëm të jetë 1 miliard”.

Mes tjerash, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut theksoi se me bashkëpunimin e afërm dhe afërsinë mes popujve të të dyja vendeve do të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik. Ai gjithashtu tha se me homologun e tij kanë trajtuar edhe praninë e kompanive turke në Maqedoninë e Veriut.

“Mirëpres përpjekjet e Republikës së Türkiye-s për të ndërmjetësuar në këtë pushtim ushtarak”

Duke folur rreth luftës Rusi-Ukrainë, Osmani njoftoi se ka zhvilluar një vizitë në Ukrainë dhe përshëndeti përpjekjet e Türkiye-s për të ndërmjetësuar në këtë “pushtim ushtarak”.

“Jetojmë në fillim të shekullit të 21-të dhe gjeneratat e reja duhet të privohen nga hapat që janë në kundërshtim me vlerat elementare të civilizimit dhe prandaj qëndrimi i Maqedonisë së Veriut për këtë çështje është i qartë. Në këtë kontekst, mirëpres përpjekjet e Republikës së Türkiye-s për të ndërmjetësuar në këtë pushtim ushtarak, në mënyrë që së shpejti të gjendet mënyra për të kapërcyer pasojat e shkaktuara nga kjo luftë”, tha Osmani.

Më tej, Osmani theksoi se besojnë që për zhvillimin e rajonit duhet të zgjidhen sa më parë problemet e vazhdueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Pozita e komunitetit turk është e garantuar në thelb në kushtetutën e vendit. Komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut zë një vend të vlefshëm në jetën tonë kulturore dhe shoqërore”, tha Osmani.

Duke u përgjigjur lidhur me një pyetje për procesin e anëtarësimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian (BE), ai tha se, “Kjo është një pyetje e madhe që flitet edhe në publikun tonë. Rrugëtimi evropian i Maqedonisë së Veriut ka filluar para rreth 20 vitesh bashkë me grupin ku gjendeshin Kroacia dhe Sllovenia. Por fatkeqësisht edhe pas 17 vitesh proces aktiv ende nuk i ka filluar negociatat”.

Ai gjithashtu theksoi se një nga çështjet që frenojnë këtë proces është çështja me Bullgarinë.

“Sigurisht që kjo shkaktoi tek qytetarët pakënaqësi, zhgënjim. Sigurisht, nëse përmbushni kriteret në këtë proces negociatat duhet të përparojnë. Për ne nuk ka alternativë. Maqedonia e Veriut dëshiron të përmbushë kriteret dhe të vazhdojë rrugëtimin”, tha kryediplomati i Maqedonisë së Veriut.

Osmani e ftoi homologun e tij turk për vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
LajmeRajoni