Osmani e quan lajm të shkëlqyeshëm, Kurti më i “ftohtë” për dialogun strategjik SHBA-Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani të premten sapo përfundoi takimin me Zëvendëssekretarin e Shtetit  për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, menjëherë njoftoi se SHBA dhe Kosova do të finalizojnë dialogun strategjik, të cilën ajo tha se e ka kërkuar nga viti 2021. Kurti, po ashtu, ishte nikoqir i zyrtarit amerikan, i cili solli lajmin e rëndësishëm në fund të mandatit të Administratës Biden. Por, në njoftimin për media nga ZKM  nuk pati ndonjë entuziazëm për “arritjen e Osmanit”. Zyra për media e kreut të Qeverisë bëri një njoftim “kalimthi” duke thënë se  u diskutua edhe “për përfitimet nga Dialogu Strategjik”.

Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, në vizitën e tij në Kosovë me vete solli lajmi se një marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së për dialog strategjik do të finalizohet së shpejti. Këtë ai ia kumtoi presidenten Vjosa Osmani në takimin e përbashkët që zhvilluan sot në Prishtinë, e cila më pas e ndau me publikun. Në njoftim, Osmani tha se ky rezultat është arritje e saj meqë propozimin ia kishte bërë SHBA-së që nga viti 2021.

Presidentja Osmani pas takimit që pati me zyrtarin e lartë amerikan dha lajmin për “një të arritur të jashtëzakonshme” se i është konfirmuar nga ai se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zëvendës Sekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”.

Duke njoftuar se ekipet e të dyjave vende do të takohen së shpejti për ta finalizuar këtë marrëveshje, Osmani ky dialog do të jetë një platformë që do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm.

Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës nuk u pa entuziazmi që u shfaq nga Presidentja Osmani.

Prioritet aty iu dha marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë”, u tha aty.

Në paragrafin e njoftimit rreth marrëdhënieve dypalëshe u përmend edhe dialogu strategjik.

“Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës” thuhet në njoftim.

Çka është Dialogu Strategjik?

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur Dialog Strategjik me shumë vende të botës dhe përmes tij synojnë forcimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin dhe strategjitë e përbashkëta në çështje si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme. Me disa vende, SHBA synon që përmes tij të rrisë sigurinë dypalëshe, të nxisë inovacionin prosperitetin ekonomik dhe që të mbështesë vlerat e përbashkëta demokratike dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.

SHBA ka Dialog Strategjik me vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Sllovenia, Italia, Greqia, Egjipti, Katari e të tjera. Ndërkaq, nga Ballkani Perëndimor, SHBA ka Dialog Strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Serbia gjithashtu tenton të vendosë Dialogun Strategjik me SHBA-në.

Nga vendet e rajonit ishte Maqedonia e Veriut e para që vendosi Dialog Strategjik me SHBA-në më 2 qershor 2022. Në këtë datë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën një Dialog Strategjik në Uashington DC, i fokusuar në thellimin e partneritetit dypalësh.

Dialogun Strategjik e drejtuan Bujar Osmani, që atë kohë ishte ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

“Ata pohuan marrëdhëniet e forta midis dy vendeve të tyre dhe pritën të avancojnë së bashku prioritetet e përbashkëta për sigurinë dhe prosperitetin dypalësh, në kontinentin europian dhe në mbarë botën”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.

Ndërkaq, Shqipëria u bë e dyta nga rajoni që nisi Dialog Strategjik me SHBA-në në tetor të vitit 2022. Kjo u pa si mundësi për zgjerim dhe forcim të mëtejshëm të bashkëpunim mes dy vendeve.

Ish- inistrja për Integrime Europiane e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e kishte takuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Ky i fundit më pas kishte shkruar më pas për këtë takim me Xhaçkën në një postim në X.

“Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”.

Kategoritë
LajmeVendi