Osmani: Edicioni i parë i Forumit për gratë, paqen dhe sigurinë i dedikohet ish-sekretares së SHBA-së, Albright

“Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete të botës nga të gjashtë kontinentet dhe mbi 400 pjesëmarrës”, tha presidentja e Kosovës, Osmani

Kosova për herë të parë do ta organizojë Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku do të marrin pjesë personalitete të shumta politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky forum, që vjen si zotim në Forumin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, organizohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Presidentja Osmani në një konferencë për media në prag të këtij forumi, tha se edicioni i parë i tij do t’i dedikohet trashëgimisë së ish-sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright.

Osmani tha se forumi synon të përçojë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtyllat qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel vendor, rajonal dhe global.

“Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete të botës nga të gjashtë kontinentet dhe mbi 400 pjesëmarrës”, theksoi Osmani e cila tha se pas hapjes së forumit do të ketë adresim të veçantë me video nga sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Në kuadër të forumit do të zhvillohen 16 panele me tema për sigurinë, përfaqësimin e grave, përfaqësimin e të rinjve, përballjen me të kaluarën, drejtësinë tranzicionale, për dhunën ndaj grave e të tjera.

“Në hapjen e forumit gratë e Ukrainës do t’i dekoroj me medaljen presidenciale të meritave për kontribut në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Pra, medalja e sivjetme i dedikohet atyre dhe do të kemi përfaqësues nga Ukraina që do të vijnë ta marrin këtë medalje”, theksoi Osmani.

Forumi do të fokusohet në “Ndërtimin e aleancave për paqe të qëndrueshme” dhe do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga përvojat e vendeve pjesëmarrëse, zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse dhe të balancuara gjinore si dhe hartimin e kornizave të reja të veprimit në vazhdën e ndryshimeve të vazhdueshme të arkitekturës së sigurisë dhe paqes në Evropë e më gjerë.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 22 dhe 23 tetor 2022 në Prishtinë.

Kategoritë
LajmeVendi