Osmani: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky.

Siç njofton Presidenca kosovare, Osmani në takim me ministrin e Jashtëm çek ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e Kosovës, me të cilën ndajnë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhme të përbashkët në familjen euroatlantike.

Fokusi kryesor i takimit sipas Presidencës ka qenë çështja e liberalizimit të vizave, ku Osmani falënderoi ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi gjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian”, tha Osmani.

Krahas çështjes së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për Kosovën duke theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të BE-së. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

Ministri çek Lipavsky në një konferencë me zëvendëskryeministrin kosovar Besnik Bislimi theksoi se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët është “në rrugë të duhur”, por tha se për shkak se ky proces është politik dhe teknik, nuk mund të thuhet një datë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi