Osmani: Kosova ka nevojë për më shumë gra në pozitat udhëheqëse – Integrimi i tyre, synim i përditshëm i yni

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë “UNMIK” ka organizuar konferencën mbi temën “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Aty u bisedua për avancimin e pjesëmarrjes së gruas në proceset politike.

Për avancim të grave u zotua e para e shtetit, Vjosa Osmani. Derisa foli për rëndësinë e kësaj konference, Osmani tha se pjesëmarrja e grave dhe vajzave në proceset e sigurisë është garanca më e mirë për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë

“Është një platformë shtesë për të fuqizuar zërin e vajzave dhe grave. Kosova qshtë pjesë e hartës botërore të ditëve të hapura. Kosova sivjet për herë te parë do të organizojë për herë të parë forumin për gratë, paqen dhe sigurinë. Jam jashtëzakonisht e lumtur që më 22-23 tetor në bashkëpunim me partner të shumtë do ta bëjmë Kosovën pjesë të diskutimeve globale mbi rëndësinë e kësaj agjende”, tha Osmani.

“E kemi të qartë se kemi shumë punë për të bërë. Kemi kaq shumë sfida të reja, këtë takim dhe diskutim po ndodh në një kohë kur paqja, siguria dhe liria janë sulmuar sërish në zemër të Evropës.. përderisa jemi dëshmitarë të këtyre vuajtjeve, dhe na kujton dhimbjen është më se e natyrshme që ne si Kosovë te angazhohemi shumë për jetësimin e kësaj agjende”, tha tutje Osmani.

Osmani tha se institucionet aktuale e kuptojnë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave dhe vajzave në çdo sektor e strategji pa dallim.

“Integrimi i vajzave dhe grave është një synim i përditshëm dhe këtë mund ta arrijmë kur garantojmë barazi në të gjitha fushat. Ne e kuptojmë se ky mund të jetë rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por vullneti ekziston dhe vizioni gjithashtu. Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse. Gratë mund ta bëjnë këtë, shoqëria jonë ka nevojë për këtë”, tha në fund Osmani.

Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Caroline Ziadeh, foli për rëndësinë që OKB po i jep rezolutës për gratë, paqen dhe sigurinë.

“Të shkojmë së bashku në një udhëtim nga 850 delegatët në themelimin e kombeve të bashkuara 77 vite më parë patëm vetëm 4 gra. Megjithatë këto gra e ritheksuan në kartën themeluese të OKB-së që ne populli kemi të drejtat fondamentale dhe vleftën e personit dhe të drejtat e barabarta të burrave dhe grave. Udhëtimi nuk mbaron aty. OKB me agjencitë e fondet e programet thekson rolin politik dhe kontributin e vajzave e grave anë e kënd botës. 22 vite ë parë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën 13/25 për gratë, paqen dhe sigurinë. Kjo rezolutë njeh se pjesëmarrja e grave në proceset vendimtarë kontribuon në shoqëri demokratike dhe në ngritjen e nivelit të paqes së qëndrueshme”, tha ajo.

Ulrika Richardson koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim tha se ky është takimi fundit i saj, pasi e përfundon misionin në Kosovë. Duke folur për rezolutën e OKB-së, tha se nuk po shihen rezultatet.

“22 vite po flasim për rezolutën e Këshillit të Sigurimit  dhe ende jemi duke folur por në të vërtetë nuk po i shohim rezultatet, jemi shumë larg por duhet të shtyjmë përpara. Kam qenë e impresionuar nga katër vitet nga cilësia dhe vendosmëria dhe pasioni i lëvizjes së grave në Kosovë dhe rajon.  Pikënisja këtu ka të bëjë me pjesëmarrjen e sotme. I dimë kuadrot që kanë bërë shumë punë në parlamentin e Kosovës dhe jo vetëm sepse kur i përfshin gratë në politike i përfshinë edhe në politikbërje”, tha ajo.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, foli zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi. Ajo falënderoi pjesëmarrësit në këtë ngjarje, teksa kërkoi trajtim të barabartë për të gjithë pa dallim.

“Është kënaqësi që jam pjesë e këtij manifestimi që i jepet paqes e stabilitetit në vendet ku të gjitha ne gjendemi gjatë gjithë vitit. Në emër të qeverisë dhe të qytetarëve edhe në emër të pakicave një falënderim të madh për gjitha këto vite që keni pas ndikim që proceset demokratike të ecin para. Tema e ditës së sotme që i dedikohet të drejtave të grave, paqes dhe sigurisë ka të bëjë me të gjithë ne me familjen tonë mjedisin ku jetojmë dhe brenda shtetit. Deri në atë masë sa ne do të jemi të njëjtë në atë proces do të arrijmë të ndryshojmë shoqërinë tonë dhe të pranojnë fqinjët tanë në mënyrë të barabartë”, tha ajo.

E ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, tha se me pjesëmarrjen e grave në proceset politike është gjëja e duhur dhe efektive për të arritur rezultate më të mira.

Kategoritë
LajmeVendi