Osmani me rastin e 24 marsit: NATO-ja parandaloi shfarosjen e popullit të Kosovës

“Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 24-vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s, me të cilin iu dha fundi gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani theksoi se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës perëndimore, botës së lirë, e cila, siç tha ajo, u vu në anën e duhur të historisë, në anën e së drejtës.

“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forcat tona ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës'”, theksoi Osmani.

Më tej, presidentja Osmani theksoi se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës.

“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, është shprehur tutje ajo.

Sipas presidentes Osmani, liria është një gurë themeltar i dinjitetit njerëzor dhe ajo nuk është gjithmonë e lehtë për t’u ruajtur.

“Po jetojmë në një kohë kërcënimesh për të gjithë ne. Prandaj, sërish botës së lirë i duhet unitet kundrejt tiranëve, autoktratëve e diktatorëve. Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara. Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, ndaj duke ruajtur aleancën me partnerët tanë do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”, tha Osmani.

Ajo ka falënderuar gra e burra të shteteve anëtare të NATO-s, për kontributin e tyre në vitin 1999 për lirinë e Kosovës dhe ka potencuar se secili nga ta gëzon mirënjohjen e thellë e të vazhdueshme të popullit të Kosovës.

Gjatë intervenimit të NATO-s në Kosovë kanë humbur jetën 138 pjesëtarë të NATO-s dhe një numër i konsiderueshëm i tyre janë lënduar.

Kategoritë
LajmeVendi