Osmani në BBC e quan sukses miratimin e Deklaratës për të Zhdukurit, kërkon mbështetje nga Londra për zbatim

Presidentja Vjosa Osmani ka arritur në Londër për ceremoninë e nesërme në kurorëzimin e Mbretit Charles III.

Pas arritjes atje ajo dha një prononcim për BBC-në. Pas falënderimit të mbështetjes që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës për ndërtimin e shtetit, Osmani u pyet edhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë.

Ajo tha se rezultatet e fundit në dialog ishin të suksesshme, duke përmendur këtu miratimin e Deklaratës për të zhdukurit.

“Besoj se java e fundit ka qenë goxha e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që është miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur, të zhdukur me forcë gjatë luftës. Është një çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar në këtë sepse janë mbi 1600 familje që ende i kërkojnë të dashurit e tyre që janë rrëmbyer gjatë luftës. Dhe për këtë arsye, sigurisht, ne llogarisim në mbështetje shtesë nga Britania e Madhe, që është një nga vendet me rol kryesor për të na mbështetur. Tani që deklarata është miratuar, zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia s’është që ka histori të mirë si vend kur jemi te zbatimi.

“Por, shpresoj që me ndihmën e aleatëve mund t’i japim fund kësaj plage shumë të thellë të shoqërisë sonë dhe që ne të sigurohemi që nënat të kenë një vend ku mund të vendosin lule për fëmijët e tyre të zhdukur”.

Osmani u pyet edhe për të shtënat masive në Serbi, për të cilat tha se si presidente e Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta.

Kategoritë
LajmeVendi