Osmani: Nuk mund të ketë Evropë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe pa Ballkanin Perëndimor

“Nuk mund të ketë Evropë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Kjo nuk është më çështje e përmbushjes së disa kritereve teknike, kjo është çështje me rëndësi në aspektin gjeopolitik dhe atë të sigurisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Procesin e Bërdo Brijunit me liderët e tetë vendeve të Ballkanit Perëndimorë ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të përshpejtojë hapin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, transmeton Anadolu Agency (AA).

Osmani, e cila ka bërë publike fjalën e saj në rrjetet sociale, para të pranishmëve ka thënë se për Kosovën e ardhmja si anëtare e BE-së është një e ardhme nga e cila nuk do të hiqet dorë kurrë.

Ajo tha se përshpejtimi është i nevojshëm, me gjithë faktin se rajoni është afruar më shumë me BE-në, marrë parasysh edhe faktin e hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Nuk mund të ketë Evropë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Kjo nuk është më çështje e përmbushjes së disa kritereve teknike, kjo është çështje me rëndësi thelbësore në aspektin gjeopolitik dhe atë të sigurisë”, theksoi Osmani.

Kur flitet për BE-në, Osmani tha se në themel të saj janë të drejtat dhe liritë e njeriut, ndërsa këto të drejta vazhdojnë t’u mohohen kosovarëve me regjimin e vizave edhe katër vite prej kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Shpresojmë që kësaj padrejtësie dhe diskriminimi t’i jepet fund së shpejti. Kur them: së shpejti, nënkuptoj këtë vit, gjatë Presidencës Çeke të BE-së”, tha Osmani.

Duke folur për luftën në Ukrainë, presidentja kosovare tha se ajo është një tregues i qartë se “liria dhe demokracia nuk mund të merren kurrë si të mirëqena”, derisa shtoi se kjo tregon rëndësinë e aleancave të përbashkëta dhe urgjencën për fuqizimin dhe forcimin e mëtutjeshëm të tyre.

“Nuk mund të pretendosh të jesh mik i Evropës dhe mik i Rusisë në të njëjtën kohë. Nuk mund të jesh mohues i gjenocidit dhe njëkohësisht të pretendosh të promovosh frymën dhe veprimet e solidaritetit dhe ndjeshmërisë. Nuk mund të shtrëngosh duart me viktimën dhe agresorin në të njëjtën kohë. Sot ose zgjedhim të qëndrojmë në anën e duhur të historisë ose jo, dhe nuk ka një mes të pranueshëm”, theksoi ajo duke nënvizuar se sa më shumë që është zgjeruar prania e NATO-s në rajon, aq më të fortë e më e qëndrueshme është bërë shtresa e sigurisë.

Tutje, Osmani ka përmendur edhe krizën energjetike evropiane dhe krizën e sigurimit të ushqimit, për të cilat ka thënë se është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal.

“Sa më shumë BE të ketë në Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ketë stabilitet, demokraci dhe paqe në vetë Bashkimin Evropian. Por, të mos harrojmë, Evropa nuk është më e njëjta pas 24 shkurtit 2022. Në vazhdën e luftës aktuale të Rusisë në Ukrainë, askush nuk mund të pretendojë të jetë pro-evropian nëse nuk vepron vërtet si i tillë”, shtoi Osmani.

Në fund ajo ka theksuar se do të ishte e nderuar që në frymën e avancimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mëtejshëm rajonal organizimi i radhës i Liderëve të Procesit të Bërdo-Brijunit të zhvillohej në Kosovë.

Iniciativa e Procesit Bërdo-Brijuni filloi në vitin 2010 kur kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje arbitrazhi mes dy vendeve, donin të jepnin shembull për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe t’i inkurajonin për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për forcimin e ritmit në rrugën evropiane.

Që nga viti 2013, takimet në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit, ndërsa takimeve të liderëve rajonal u janë bashkangjitur të ftuar special, duke përfshirë ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, ish-presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, presidenti polak, Andrzej Duda, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, presidenti i SHBA-së dhe dikur zv/presidenti Joseph Biden, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.

Kategoritë
LajmeVendi