Osmani: ​Përqindje e ulët e grave në ushtri, duhet të bëjmë më mirë se kaq

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se në ushtrinë e Kosovës aktualisht janë vetëm 10% gra. Sipas saj, kjo përbën një përqindje të ulët.

Osmani ka folur në konferencën me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”, e cila organizohet në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

“Asnjëherë nuk duhet të mjaftohemi me kaq, niveli prej 10% është tejet i ulët, ne mundemi dhe duhet të bëjmë më mirë se kaq. Sidomos ne si shtet që synojmë anëtarësimin në NATO”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se gjatë takimeve që zhvilloi në selinë e NATO-së “tema e parë e diskutimit ishte angazhimi i Kosovës në agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Sipas saj, përfshirja e grave ushtarake dhe angazhimi e avancimi i tyre janë në boshtin e NATO-s.

Duke shprehur bindjen që Kosova mund të bëjë më shumë në këtë drejtim, komandantja supreme e FSK-së ka thënë se duhen vepra konkrete, politika të përshtatshme dhe resurse të bollshme.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shprehur përkushtimin dhe synimin që përfshirja e grave në FSK të rritet.

Ai ka thënë se po angazhohen për largimin e barrierave që pengojnë përfshirjen e grave ne ketë institucion.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi