Osmani: Serbia t’i japë të gjitha të dhënat për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Me homazhe pranë obeliskut të të pagjeturve të luftës, në Kosovë është shënuar 30 Gushti – Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe familjarë të të pagjeturve të luftës së fundit, të vitit 1999 në Kosovë, kanë bërë homazhe te obelisku i të të pagjeturve pranë Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Për të shënuar 30 Gushtin – Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, bashkë me Osmanin dhe Kurtin homazhe kanë bërë edhe familjarët e të pagjeturve, ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të huaj dhe zyrtarë shtetërorë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që të rritet angazhimi bashkë me faktorin ndërkombëtar në mënyrë që “Serbia, përfundimisht të përgjigjet për krimet e kryera por edhe të tregojë vendndodhjen e qytetarëve kosovarë të cilët akoma nuk dihet se ku janë”.

“Siç e dini në dialogun me Serbinë është prioritizuar çështja e të zhdukurve me dhunë dhe institucionet e Kosovës janë duke e bërë të pamundurën në mënyrë që nëpërmjet këtij procesi përfundimisht Serbia t’i japë të gjitha të dhënat që do të na çonin deri tek zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë”, theksoi Osmani.

Ajo tha për këtë se “jemi në rrugë të duhur”, ngase Kosova ka treguar konstruktivitet.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me faktorin ndërkombëtar duhet bërë presion që Serbia t’i hapë arkivat, për t’u zbardhur fati i të pagjeturve.

“Përveçse të hapen arkivat edhe Prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë, i varrosën, i zhvarrosën, i dërguan në Serbi, i varrosën atje dhe më pas u zhvarrosën nga ato pesë varreza masive që mbase ka edhe më shumë se aq”, theksoi Kurti.

Kryeministri Kurti tha se në mesin e mbi 1600 të zhdukurve me dhunë, shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe tha se Kosova angazhohet për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie.

Kurti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të cilët dinë dhe kanë informacion rreth të pagjeturve që të tregojnë për gjithçka që dinë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), më 30 gusht të çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, me synim të rritjes së ndërgjegjësimit për numrin e zhdukjeve me forcë në mbarë botën.

Kategoritë
LajmeVendi