Osmani, sipas Jasharajt, i quan legjitime kërkesat e grevistëve, Kurti “dëshira arbitrare që s’mund të ecin përpara”

Kreu i SBASHK’ut sot gjatë ditës ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, e cila i ka kërkuar që të ndërpritet greva, por ka marrë përgjigje negative. Jasharaj ka treguar se para shefes së shtetit i ka shtruar kërkesat, të cilat, sipas tij Osmani i ka quajtur legjitime.

Po ashtu, kreu i SBASHK’ut ka thënë se Presidentja u ka premtuar se do të interesohet për to.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me takimin me kreun e SBASHK’ut të cilin Kurti po refuzon ta takojë, po provon të ndërmjetësojë një zgjidhje që mësimi të nisë. Por duket se për një ndërhyrje të tillë të presidentes, duket se kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i ka mbetur hatri.

Ai, sot, përgjatë konferencës për media bashkë me ministrin Hekuran Murati e ka theksuar disa herë se si kryeministri e takon vetëm kreun e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura (BSPK-së) Atdhe Hykollin, dhe jo liderë sindikal të tjerë ndaras.

Kurti ka potencuar se nuk është në rregull që të kapërcehet Atdhe Hykolli e të takohet me liderë të degëve sindikale, shkruan Gazeta Express.

“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi”, ka thënë sot Kurti në konferencë.

Ai tutje është kujdesuar që ta godasë Rrahman Jasharajn, duke thënë se në të kaluarën liderë të degëve sindikale kishin krijuar lidhje direkte me kryeministra, president e ministra dhe se ishte prishur një rregull i tillë.

“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara”, ka thënë sot kreu i Qeverisë.

Kurti në konferencë për media është pyetur se “a po gabon presidentja Osmani” që do ta takojë sot Rrahman Jasharajn meqë vetë Kurti si kryeministër e ka potencuar që nuk e tejkalon BSPK-në dhe Atdhe Hykollin.

Kurti ka deklaruar sot se s’mund të flasë as për agjendën e tij meqë ka shumë takim e lërë më të të tjerëve.

“Shikoni unë ju tregova, Unë ju tregova, agjendën time deri në fund të ditës nuk e di saktësisht sepse kam takime kah 10-15 minuta.As nuk mund të flasë për agjendën time siç ju thash e jo të të tjerëve”, ka thënë Kurti kur është insistuar nga T7 për të marrë një qëndrim për takimin e Osmanit me Jasharajn.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje shefja e shtetit Vjosa Osmani ka ftuar në takim përfaqësuesit e sindikatave dhe ata të qeverisë së Kosovës.

Takimi u mbajt sot në orën 15:00. Lajmin për T7 e kishte konfirmuar të premten kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Presidentja e vendit në një reagim që kishte bërë me 1 shtator, kishte deklaruar se në vend të gregave, duhet t’i jepet mundësi dialogut.

“Pra, në vend të grevës, e cila i dëmton nxënësit, duhet t`i jepet mundësi dialogut, i cili është në dobi të nxënësve, mësimdhënësve, institucioneve dhe organizatave të tjera.”, kishte shkaruar presidentja Osmani./

Kategoritë
LajmeVendi