Osmani takohet me O’Brien me të mbërritur në Washington D.C.: Diskutim përmbajtësor për rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien me të mbërritur në Washington D.C., atje ku shkoi me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s.

Osmani tha se pati “diskutim pëmbajtësor” me O’Brien, me të cilin tha se folën për rëndësinë e bashkëpunimit.

“Takimet në Washington D.C. i filluam me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani tha se folën edhe për dialogun me Serbinë dhe rolin e SHBA-së në proces.

“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi. 🇽🇰🇺🇸“, shkroi ajo.

Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidenca tha se “Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë”.

Kategoritë
BotaLajmeVendi