Osmani tregon nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë: Drejtësia sërish do të triumfojë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka treguar nëse e ka në planë t’i vizitojë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

E para e shtetit, tha se veprimet institucionale do të jetë të mirëmenduara, në mënyrë që mos të interpretohej si ndërhyrje në këtë proces.

Ajo është e bindur se drejtësi në këtë rast do të triumfojë, duke shtuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

Osmani sqaroi se do të bëjnë gjithçka që është në kompetenca të institucioneve dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne besojmë që drejtësia sërish do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë se vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për t’i mbrojtur civilët të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale e Serbisë”.

“Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët e tyre, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë hap që i ndihmon drejtësisë dhe jo hap që mund të keqpërdorej dhe të interpretohej si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK-së përgjatë këtij procesi”, tha Osmani.

Kategoritë
LajmeVendi