Në kuadër të ushtrimit fushor ”Ujku i Çeliktë”, Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar Ditën e Vizitorëve me ç’rast u demonstruan edhe disa operacione ushtarake.
Ky ushtrim fushor u realizua në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa nga afër këtë ushtrim fushor e përcolli komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandantin e përgjithshëm të FSK-së, Bashkim Jashari.
Në këtë ushtrim fushor morën pjesë mbi 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” dëshmoi përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.
Komandantja supreme teksa u shpreh shumë krenare për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se ky ushtrim fushor demonstroi qëndrueshmëri dhe guxim.
“Ushtarakë e ushtarake të ushtrisë tonë, stërvitja fushore ‘Ujku i Çeliktë’ është më shumë se një test shkathtësie, një demonstrim i qëndrueshëm, guximit dhe shpirtit të ushtrisë tonë e cila nuk zmbrapset asnjëherë pavarësisht sfidave. Nëpërmjet manovrave sulmuese, fortifikimeve mbrojtëse dhe operacioneve të stabilitetit ju dëshmuat sot përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës në çdo cep. ‘Ujku i Çeliktë’, personifikon instiktin e mprehtë dhe guximin e pa epur të secilit prej jush…. Me operacionet sulmuese ju shfaqët shkathtësinë dhe guximin për ta tejkaluar çdo kërcenim me operacionet mbrojtëse ju treguar se përballë çfarëdo rreziku nuk lëkundeni”, tha Osmani.
Presidentja Shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë stërvitje fushore ushtarët e FSK-së dëshmuan se ushtria e Kosovës ka aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-së.
“‘Ujku i Çeliktë’ le të jenë një kujtesë se ne nuk stërvitemi vetëm për përballje të sotme, por përgatitemi edhe për sfidat e së nesërmes. Ju stërviteni dhe validoheni për të qenë gati kurdo herë që shtrohet nevoja për t’i dal zot atdheut. Ju sot me demonstrimin tuaj dëshmuat fuqishëm se pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti shtetërore mbrohen më ushtrinë e saj me aftësitë dhe kapacitetet operacionale e në ndërveprueshmëri të plotë me forcat aleate. Sot dëshmuat edhe njëherë se ushtrinë tonë e kemi ndërtuar dhe jemi duke e zhvilluar më aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale sipas standardeve me të larta të vendeve të NATO-së dhe konfirmuar fuqishëm se jemi të gatshëm të marrin pjesë efektivisht në operacione profesionale”, u shpreh komandantja supreme, Osmani.