Pacientët ankohen për mungesë të Herceptinës në Onkologji, SHSKUK-ja thotë se e kanë këtë ilaç

Pacientët të cilët janë diagnostikuar me sëmundjen e kancerit përveç luftës me sëmundjen, shpesh herë përballen dhe me mungesë të medikamenteve, të cilat u duhen për trajtim. E Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), herë pas here ka mungesë të barnave, me të cilat duhet t’i trajtojë këta pacientë.

Pacientët thonë se kjo klinikë ka mungesë të ilaçit Trastuzumab apo Herceptinë dhe se gjatë kësaj kohe, ata kanë mbetur pa u trajtuar.

Edhe pse gjendet në listën esenciale, ilaçi Herceptinë mungon herë pas here në Onkologji. E pacientët detyrohen ta gjejnë e ta blejnë me çmime astronomike, pasi që çmimi i saj në treg shkon deri në 1500 euro.

Por ka raste që edhe me këtë çmim nuk gjendet fare në treg. E me këtë problem po përballët M.A i cili për “IndeksOnline”, ka deklaruar se nëna e tij ka një vit që trajtohet nga kanceri në Onkologji, por se trajtimi i saj është ndërprerë, pasi që në klinikë i është thënë se nuk ka Herceptinë.

Thotë se nuk i kishte mbetur rrugë tjetër, vetëm ta gjej mënyrën ta siguroj vetë edhe pse me një çmim tejet të shtrenjtë. Por se nuk ka arritur as vet ta gjejë Herceptinën edhe pse ishte i gatshëm të paguaj sado që kushtonte, pasi që është në pyetje shëndeti i nënës së tij.

“Më thanë që çmimi është 1500 euro. Por ende s’kam mund ta siguroi, sepse nuk po gjendet në treg. Sepse unë do ta bëja të pamundurën që t’i siguroj paratë dhe ta blej, sepse është në pyetje shëndeti i nënës sime. Që gjashtë javë jemi duke shkuar në Onkologji, por sa herë që po shkojmë po na thonë se ende s’ka ardhur Herceptina. Jemi në një gjendje të vështirë, sepse nëna ka mbet pa marrë Herceptinën, të cilën e ka çdo tre javë. S’po mund ta gjejë as privat. E në Onkologji nuk po na tregojnë një datë, se kur mund të vij. Nëna ka pas me marrë Herceptinë para katër jave s’ka pas, as pas dy jave s’ka pas. Shkuam dhe dje dhe ende nuk kishte”, tha ai.

E duke mos pasur zgjidhje, e i gjendur para një situatë të vështirë M.A kishte shikuar mundësinë e sigurimit të këtij ilaçi përmes veriut, pasi që i kishin thënë se andej mund të hyjë ilegalisht. Por se as në këtë mënyrë nuk ka arritur ta siguroj ende.

“Është sëmundje e ndjeshme dhe nuk mund të neglizhohet. Jemi në zor dhe se më ka ardhur puna me këqyr mos po mundem me siguru andej kah veriu, mos po e shtinë në të zezën, por s’kam mundur. Sepse për mua me rëndësi tani mbetet veç ta siguroj këtë ilaç, s’më intereson prej nga, kah veriu apo jashtë kufijve “, tha ai.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) thuhet se ky ilaç nuk mungon dhe se Herceptinë ka në barnatoren e Onkologjisë dhe në Barnatoren Qendrore.

“Iu informoj se ne Barnatoren Qendrore e gjithashtu në Barnatoren Klinike te Onkologjisë posedojmë produktin TRASTUZUMAB (Herceptinë) 440 mg injeksion”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Përkundër asaj që nga SHSKUK-ja thonë se e posedojnë ilaçin Herceptinë, së fundi numri i pacientëve të cilët trajtohen në Onkologji, e të cilët kanë kërkuar ta blejnë Herceptinën në barnatore është rritur. Barnatoret të cilat herë pas here u sigurojnë Herceptinë pacientëve, kanë thënë se ka pas interesim të shtuar të pacientëve, për të blerë Herceptinë, pasi atyre nuk i është dhënë në klinikën e Onkologjisë.

“Po së fundi kemi pas pacient që kanë kërkuar Herceptinë, pasi që ky ilaç nuk u është dhënë atyre në Onkologji, sepse mungon. Por ne nuk e kemi Herceptinën tani”, na u tha në njërën nga barnatoret afër QKUK-së.

Kategoritë
LajmeVendi