Pajtohen për Jahjagën, Tahiri ia lë meritat Hashim Thaçit e Hoti Isa Mustafës për MCC-në

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kanë folur në Kuvendin e Kosovës për marrëveshjen Kompakt me MCC-në. Të dy deputetët, të rizgjedhur deputetë për disa herë në partitë e tyre, kanë thënë se meritat i kanë ish-liderët e partive të tyre. Gjithsesi, ajo që i bashkon është ish-presidentja Atifete Jahjaga, të cilës ia njohin meritat që të dy.

Abelard Tahiri i PDK-së e përshëndeti marrëveshjen për energjinë me SHBA-në, por duke i dhënë merita qeverisjes së PDK-së dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

“Ky projekt Në Republikën e Kosovës është tash e 7 vite. Negociatat për këtë projekt i kanë fillu ish-Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi. Është finalizu për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti, pra nga Presidenti Thaçi, në Kongresin Amerikan”, ka thënë Tahiri sot në Kuvend, ku pritet të ratifikohet marrëveshja me MCC-në e nënshkruar dje në Uashington nga ministrja Artane Rizvanolli, në praninë e Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

“Më vjen keq që nuk e kemi këtu Kryeministrin me pa si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjeçari. Si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje; një marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014, për involvimin e Republikës së Kosovës” , tha Tahiri.

“Ne si grup parlamentar do ta mbështesim dhe shpresojmë që, ashtu siç është paraparë, që brenda 5 viteve, deri në vitin 2027, ky projekt të implementohet” .

Ai ka thënë se Partia Demokratike beson se do të ishte shumë më mirë, që Kosova të qëndronte në “versionin e parë” për sjelljen e infrastrukturës së gazit. Sipas tij, gazjellësi do të ishte projekt strategjik më i suksesshëm.

Versioni i Hotit

Në anën tjetër, Avdullah Hoti i LDK-së tha se marrëveshja milionëshe e nënshkruar me MCC-në nuk është meritë e Qeverisë Kurti, por se hise të meritave ka edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe se punë ka kryer edhe Qeveria Mustafa.

“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje.  Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”, tha Hoti në Kuvend, duke treguar se Grupi Parlamentar i tij i jep mbështetje të plotë ratifikimit të kësaj marrëveshje, raporton Gazeta Express.

Ai po ashtu tha se studime të para fizibilitetit kanë mbaruar në gusht të vitit 2020.

“Bazuar në kërkesën e MCC, atëherë 24 shtator 2020, qeveria e atëhershme ka dërguar letër në MCC ku ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve Kosova e Re dhe për projektet për programin Kompakt”.

Kategoritë
LajmeVendi