Kanadaja, e cila mban presidencën e radhës të G7 këtë vit, ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të marrë pjesë në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në qershor në Alberta, Kanadaja perëndimore.
“Kryeministri kanadez, Mark Carney, i cili mori detyrën të premten, foli me Zelensky dhe e ftoi atë në samitin e G7 në qershor në Alberta”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme
Presidenti ukrainas ka theksuar në një postim në X, se ka pasur “një bisedë të mirë me Carney”, duke thënë se ky i fundit “bëri pikat e duhura për nevojën për të rritur presionin ndaj Moskës”, por presidenti ukrainas nuk përmendi se kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në samitin e këtij viti të Grupit të Shtatë.
Nga ana e tij, kryeministri i ri kanadez përsëriti se vendi i tij mbështet fuqishëm luftën e Ukrainës për liri kundër agresionit rus. “Një paqe e qëndrueshme në Ukrainë kontribuon në sigurinë e të gjithë neve.”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, G7 riafirmoi mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e integritetit të saj territorial dhe kërcënoi Rusinë me sanksione të reja pas një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të G7.