Pakistan, protestuesit opozitarë marshojnë drejt kryeqytetit në mbështetje të ish-kryeministrit Imran Khan

Protestuesit filluan të marshojnë drejt Islamabadit, i cili është fortifikuar me forca të shumta sigurie, duke përfshirë paraushtarakët Rangers

Mijëra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan po marshojnë drejt kryeqytetit Islamabad, në kohën kur po mbahet protesta edhe në shumë vende tjera nga pakistanezët që jetojnë jashtë vendit, raporton Anadolu.

Khan, themeluesi i Pakistanit Tehreek-e-Insaf (PTI), bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare dhe u kërkoi njerëzve të niseshin në kryeqytet për të kërkuar kthimin e mandatit të “grabitur” në vazhdën e manipulimit të supozuar të zgjedhjeve të përgjithshme të 8 shkurtit, lirimin e të burgosurve politikë si dhe zhbërjen e ndryshimeve të diskutueshme në gjyqësorin e vendit.

Nga dje, protestuesit filluan të marshojnë drejt Islamabadit, i cili është fortifikuar me forca të shumta sigurie, duke përfshirë paraushtarakët Rangers.

Në mesin e protestuesve ishin edhe gruaja e Imran Khan-it, Bushra Bibi Khyber dhe kreu i provincës Pakhtunkhwa, Ali Amin Gandapur.

Së fundmi, autoritetet kanë ngritur raste të reja kundër ish-presidentit Arif Alvi, Ali Amin Gandapur, bashkëshortes së ish-kryeministrit, Bushra Bibi Khyber, si dhe liderëve të tjerë të PTI-së.

Qeveria pakistaneze mohon akuzat e Khan-it për mashtrim në zgjedhje, si dhe rastet e ngritura kundër Khan-it dhe anëtarëve të PTI-së, të cilat partia thotë se janë “të falsifikuara”.

Qeveria ka mbyllur institucionet arsimore në Islamabad teksa të gjitha autostradat dhe rrugët që çojnë në kryeqytet janë bllokuar pasi autoritetet vendosën mijëra kontejnerë komercialë në rrugë.

Në shumë vende, rrugët u gërmuan, si dhe kamionë dhe gurë të rëndë u vendosën në autostrada për të bllokuar marshimet, por protestuesit vijuan marshimin duke pastruar rrugët.

Qeveria është kërcënuar se do të reagojë fuqishëm ndaj të gjithë atyre që hyjnë në Islamabad, pasi vendosi kufizime për mbledhjen e katër ose më shumë se katër personave në kryeqytet.

Sipas raporteve të mediave lokale, më shumë se katër mijë mbështetës të PTI-së janë arrestuar tashmë vetëm në provincën më të madhe të Pakistanit, Punjab, për të penguar marshimin drejt kryeqytetit.

72-vjeçari Khan u kërkoi mbështetësve të tij të arrinin në Islamabad, të kamponin atje dhe të mos ktheheshin pa u pranuar kërkesat e PTI-së.

Simpatizantë dhe mbështetës të PTI-së kanë mbajtur disa mitingje dhe demonstrata mbarëkombëtare që kur Khan u rrëzua nga pushteti në prill 2022.

Sipas PTI-së, e ashtuquajtura “thirrje përfundimtare” nga Khan për 24 nëntor u mbështet gjithashtu nga mijëra pakistanezë që jetojnë jashtë shtetit në dhjetëra vende.

Mijëra emigrantë pakistanezë dhe mbështetësit e tyre u mblodhën në vendet evropiane, si dhe në SHBA, Kanada dhe Australi për të kërkuar lirimin e Khan-it, i cili ka qenë në burg që nga gushti i vitit të kaluar.

Kategoritë
BotaLajme