Kombëtarja e futbollit të Palestinës, në ndeshjen e xhiros së katërt të kualifikimeve aziatike për Kampionatin Botëror 2026, barazoi me Kuvajtin 2:2.
Kuvajtianët kaluan në epërsi në minutën e 31-të të ndeshjes, falë golit që shënoi Yousef Naser Al Sulaiman nga penalltia, ndërsa dhjetë minuta më vonë, Wessam Abou Ali, po ashtu nga penalltia, barazoi rezultatin e pjesës së parë.
Në minutën e 56-të, vendasit mbetën me një lojtar më pak për shkak të kartonit të dytë të verdhë dhe të kuq që mori Camilo Saldana, gjë që Kuvajti e shfrytëzoi në minutën e 80-të dhe sërish përmes Al Sulaiman-it kaloi në epërsi.
Dhe kur pritej fundi i ndeshjes dhe triumfi i Kuvajtit, Palestina arriti të barazonte në minutën e tretë të kohës shtesë falë golit të shënuar nga Zaid Al Qanbar, duke vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Palestinezët janë të fundit në grupin B me dy pikë nga katër ndeshje të luajtura, ndërsa Kuvajti është në pozitën e pestë me një pikë më shumë se rivali i sotëm.
Në ndeshjen e ardhshme, Palestina do të luajë si mysafire kundër Omanit, ndërsa Kuvajti do të presë përfaqësuesen e Koresë së Jugut në shtëpi.
Rezultati dhe golashënuesit:
Palestina – Kuvajti 2:2 (Abou Ali (p) 41′, Al Qanbar 90+3′ / Al Sulaiman (p) 31′, 80′).