“Jetojmë në kushte shumë të vështira. Përveç luftës, ne vdesim edhe nga uria dhe të ftohtit. Fëmijët nuk mund të gjejnë ushqim. Prandaj na është dashur të bluajmë ushqimin e kafshëve”, tha Besyuni, banor i Gazës.
Palestinezët në veri të Rripit të Gazës, ku Izraeli pengon dërgimin e ndihmës humanitare, detyrohen të bluajnë dhe konsumojnë ushqim të kafshëve për të mbijetuar.
Ndërsa ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 ka sulmuar vazhdimisht Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë, ajo nuk lejon që ndihmat humanitare të hyjnë në rajonin të cilin e ka bllokuar plotësisht.
Qindra mijëra njerëz në veri të Rripit të Gazës, ku produktet bazë ushqimore kanë mbaruar për shkak të bombardimeve izraelite dhe bllokadës së plotë që ka rreth 4 muaj, po luftojnë gjithashtu kundër urisë.
Njerëzit në veri të Gazës, të cilët janë të detyruar të vdesin nga uria për shkak të Izraelit, po vuajnë nga sëmundje të lidhura me kequshqyerjen. Sipas të dhënave nga Ministria palestineze e Shëndetësisë, rreth 600 mijë palestinezë në veri përveç bombardimeve izraelite janë edhe nën kërcënimin e vdekjes për shkak të urisë dhe sëmundjeve.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njoftoi se në nëntor 2023 të gjithë që jetojnë në Rripin e Gazës janë të ekspozuar ndaj “pasigurisë ushqimore” për shkak të bllokadës së vendosur nga Izraeli që nga 7 tetori.
Në kuadër të marrëveshjes së “pauzës humanitare” të arritur ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, ndihma humanitare u lejua të hyjë në rajonet veriore për një javë duke filluar nga 24 nëntori. Pas pauzës humanitare në nëntor, qeveria e Tel Avivit privoi veriun e Gazës nga të gjitha llojet e ndihmave deri në fillim të janarit.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), sasia e kufizuar e ndihmave humanitare që hyjnë në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadë dhe sulm nga Izraeli, nuk mund të përmbushë as 7 për qind të nevojave të njerëzve.
– Banorët e Gazës luftojnë kundër “luftës, urisë dhe motit të ftohtë”
Avatif al-Besyuni, një nga qindra mijëra palestinezët në veri të Gazës, tha se ata duhej të bluanin dhe hanin grurë dhe misër të thyer, që janë ushqim për kafshët.
Duke folur për Anadolu, Besyuni tha: “Jetojmë në kushte shumë të vështira. Përveç luftës, ne vdesim edhe nga uria dhe të ftohtit”. Ai thotë se në veri të Gazës nuk ka miell për të bërë bukë. “Fëmijët nuk mund të gjejnë ushqim. Prandaj na është dashur të bluajmë ushqimin e kafshëve”, tha Besyuni.
Ai thekson se për shkak të sulmeve të Izraelit në Gaza u është dashur të ushqehen me ushqim për kafshët. Besyuni shton se fëmijët kanë kërkuar ushqime të ndryshme, por për shkak të sulmeve që kanë muaj të tërë nuk kanë mundur të plotësojnë as kërkesat më të thjeshta.
Duke thënë se ata po luftojnë me urinë me nipërit e tyre, palestinezi Besyuni kërkoi nga vendet arabe dhe islame të bëjnë presion mbi Izraelin. “Ndaloni luftën në Gaza, shpëtoni popullin e Gazës që po lufton me shkatërrimin dhe urinë”, tha ai.
– “Ndonjëherë nuk hamë asgjë për 48 orë”
Hasan Sheref, një banor i rajonit Tel Zater në veri të Gazës, tha se nuk kanë mbetur fjalë për të përshkruar situatën e atyre që jetojnë në veri të Rripit të Gazës, ku kanë mbaruar ushqimet.
“Situata është vërtet tragjike, nuk ka mbetur asgjë për të ngrënë dhe gjithçka është e shkatërruar. Ndonjëherë ne kalojmë 48 orë pa ngrënë asgjë”, tha Sheref duke shtuar se ata ishin të detyruar të vdisnin nga uria dhe se më së shumti janë prekur fëmijët, të cilët as nuk e dinin kuptimin e luftës dhe bllokadës.
“Fëmijët nuk mund ta kuptojnë situatën e urisë dhe pengimit të furnizimit me ushqim. Gjatë kësaj periudhe elbi, i cili përdorej si ushqim për kafshët, u bë ushqimi ynë i vetëm. Kështu mund të plotësoj nevojat e familjes sime”, tha ai.
“Ne kishim mall të shihnim miellin e bardhë dhe bukën e bërë prej tij, kjo tani është bërë një nga ëndrrat tona. Fytyrat dhe personalitetet e njerëzve në veri të Gazës kanë ndryshuar sepse janë dobësuar duke u detyruar të vdesin nga uria. Takoj shumë njerëz dhe unë nuk mund t’i njoh sepse ata kanë ndryshuar shumë duke u bërë më të hollë”, thotë Sheref.
Ai thekson se përveç sulmeve të vazhdueshme të Izraelit, ka patur vdekje nga uria dhe të ftohtit në veri të Gazës.
– “Kjo bukë është bërë nga ushqimi i shpendëve”
Palestinezja Um Asad el-Ketri, e cila pjekë bukë në një shtëpi të shkatërruar nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve Jibaliya, gjithashtu deklaroi se ata mbijetojnë larg kushteve minimale njerëzore.
Ketri, e cila bënte bukë mes rrënojave me fëmijë të mbledhur rreth saj, tha: “Kjo bukë është bërë nga ushqimi i shpendëve”.
Duke theksuar se ata detyrohen të blejnë ushqim për shpendët me çmime të larta dhe ta hanin edhe pse nuk ka shije të mirë, Ketri deklaroi se buka e bërë nga këto materiale nuk ishte e përshtatshme për t’u ngrënë sepse ishte e fortë.
Gruaja palestineze shtoi se ata po përpiqeshin të zbusnin bukën që bënin nga ushqimi i shpendëve dhe të ushqenin me të fëmijët.